“Gjuha shqipe nuk është privilegj”, studentët e Kosovës protestojnë në Prishtinë për të drejtat gjuhësore në RMV

11:12 | 3 Qershor 2026
H.E

Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë ka bërë thirrje për pjesëmarrje në një protestë paqësore në Prishtinë në mbrojtje të përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore në Maqedoninë e Veriut.

Përmes një njoftimi publik, studentët e Kosovës kanë ftuar studentë, profesorë, organizata studentore, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë që t’i bashkohen protestës, e cila do të mbahet më 5 qershor, në orën 14:00, para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në kryeqytet.

Protesta organizohet për të kundërshtuar cenimin e së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës dhe në provime të tjera shtetërore në Maqedoninë e Veriut, transmeton Arbresh.info.

Njoftimi i plotë:

THIRRJE PËR PROTESTË

Studentët e Kosovës në mbrojtje të gjuhës shqipe

Të nderuar studentë, qytetarë, profesorë dhe të gjithë ata që besojnë në drejtësi,

Ne, studentët e Kosovës, ju ftojmë t’i bashkoheni protestës paqësore para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Kosovë, për të ngritur zërin kundër cenimit të së drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës dhe në të gjitha provimet e tjera shtetërore në Maqedoninë e Veriut.

Gjuha shqipe nuk është privilegj. Ajo është e drejtë e qindra mijëra shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Ne besojmë se arsimi, profesioni dhe e ardhmja e të rinjve nuk duhet të pengohen nga barriera gjuhësore të vendosura padrejtësisht. Prandaj, ftojmë të gjithë studentët, organizatat studentore, shoqërinë civile dhe qytetarët që të bashkohen me ne.

5 Qershor,

Para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Kosovë,

Ora: 14:00

Shpërndaje në rrjete sociale