Vrasja e një 18-vjeçari në Britani shkakton protesta të dhunshme, përplasje mes policisë dhe protestuesve

11:17 | 3 Qershor 2026
E H

Qindra persona dolën në protesta në Southampton të Mbretërisë së Bashkuar pas vrasjes së studentit 18-vjeçar, Henry Nowak, ndërsa tensionet u kthyen në përplasje me policinë.

Protestuesit thërrisnin emrin e Nowakut dhe hodhën gurë, tulla e sende të tjera drejt forcave të rendit, duke shprehur zemërimin e tyre për mënyrën se si u trajtua rasti.

Ngjarja lidhet me gjyqin e Vickrum Digwa, 23 vjeç, i cili u shpall fajtor për vrasjen e të riut. Sipas autoriteteve, Nowaku u sulmua me thikë në dhjetor teksa po kthehej në shtëpi pas një mbrëmjeje me miqtë. Digwa është dënuar me burgim të përjetshëm, me të drejtë për të kërkuar lirim me kusht pas 21 vitesh.

Rasti ka nxitur reagime të forta edhe për shkak se, sipas raportimeve, policia fillimisht arrestoi Nowakun, megjithëse ai ishte i plagosur rëndë. Pamjet nga kamerat e trupit të oficerëve tregojnë të riun duke deklaruar se ishte therur me thikë dhe se kishte vështirësi në frymëmarrje.

Autoritetet policore kanë referuar rastin për hetim pranë organit mbikëqyrës të sjelljes së policisë, ndërsa vazhdojnë shqyrtimet mbi veprimet e oficerëve në vendngjarje.

Ndërkohë, përfaqësues të komunitetit Sikh dënuan vrasjen dhe theksuan se veprimi i autorit nuk duhet të identifikohet me komunitetin në tërësi, duke kërkuar që ngjarja të mos përdoret për të nxitur urrejtje apo tensione ndëretnike.

Shpërndaje në rrjete sociale