Rama në Konferencën Ndërqeveritare: Shqipëria s’ka alternativë tjetër veç anëtarësimit! Ka ardhur koha ta luajmë lojën ndryshe

21:21 | 26 Maj 2026
Q L

Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryeministri Rama ka mbërritur në Bruksel për Konferencën Ndërqeveritare ku për mediat, ai theksoi rëndësinë e këtij momenti për Shqipërinë. Delegacioni përbëhej nga kryenegociatorja Majlinda Dhuka, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari dhe ministri i Drejtësisë, Toni Gogu.

“Është një moment shumë shumë i rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit dhe është një moment për të cilin kemi punuar shumë fort qysh prej një kohe të gjatë. Dhe është një moment ku gjysma e punës nëse duhet ta them kështu e kapitujve të hapur do të mbyllet dhe gjysma tjetër e mbylljes do të hapet”, tha Rama.

I pyetur se çfarë mendon për mungesën e vetos në disa çështje nga shtetet anëtare, Rama tha se e mbështet, por lidhet me unionin politik dhe anëtarësimin me të drejta të plota.

Shqipëria s’ka asnjë alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE, ritheksoi kryeministri Rama në Konferencën Ndërqeveritare. Ai tha se anëtarësimi gradual që është propozuar nga kancelari gjerman Merz nuk nënkupton krijimin e një Europe me 2 klasa, por vijimin ndryshe të rrugës.

“Ne të gjithë duhet të kuptojmë se ka ardhur koha ta luajmë ndryshe lojën tonë dhe kur vjen fjala te Shqipëria, nuk kemi asnjë plan B, nuk kemi asnjë alternativë dhe nuk duam të kemi sepse çdo alternativë për BE është përkundrejt lirisë së individit, duam të jemi pjesë e kësaj çfarëdo që të duhet e çfarëdo lloj gjëje. Ka pasur një përpjekje me Planin e Rritjes për këtë qasjen gjithçka ose asgjë. Nuk është ideja të krijojmë Europë me 2 nivele qytetarie, ka të bëjë me një Europë tërësisht të integruar duke respektuar plotësisht metodologjinë në fuqi”, tha Rama.

Shpërndaje në rrjete sociale