Hoxha: Mbështetja e Lituanisë për Shqipërinë në BE mbetet shumë e rëndësishme

08:22 | 26 Maj 2026
E.K

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është pritur në Vilnius nga Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punët e Jashtme të Lituanisë, Remigijus Motuzas, në një takim të fokusuar te bashkëpunimi ndërparlamentar dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjatë takimit, palët theksuan rëndësinë e diplomacisë parlamentare si një instrument kyç për avancimin e objektivave të përbashkëta, veçanërisht në kuadër të rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Hoxha shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Lituania i ka dhënë këtij procesi.

Në diskutime u nënvizua gjithashtu nevoja për forcimin e unitetit brenda NATO-s dhe thellimin e bashkëpunimit euroatlantik, në një kontekst sigurie gjithnjë e më kompleks.

“Ne ramë dakord për rolin e rëndësishëm të diplomacisë parlamentare dhe bashkëpunimit të zgjeruar ndërparlamentar si instrumente të vlefshme për avancimin e objektivave tona të përbashkëta, duke përfshirë rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, ku i jemi mirënjohës Lituanisë për mbështetjen e saj të vazhdueshme.

Në një mjedis sigurie gjithnjë e më kompleks, dy vendet tona mbeten të bashkuara fort për forcimin e unitetit të #NATO-s, ruajtjen e sigurisë euroatlantike dhe mbrojtjen e vlerave demokratike”, shkruan Hoxha në rrjetin social Facebook.

Sipas Hoxhës, agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës mbetet sfida më e madhe për arkitekturën e sigurisë në Evropë, duke e bërë edhe më të domosdoshëm bashkëpunimin e ngushtë mes aleatëve për mbrojtjen e vlerave demokratike dhe stabilitetit në kontinent.

Hoxha dhe homologu lituanez Remigijus Motuzas vlerësuan rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe koordinimit në çështjet e sigurisë dhe integrimit europian.

“Agresioni i vazhdueshëm i Rusisë kundër Ukrainës mbetet kërcënimi më i madh për arkitekturën e sigurisë së Evropës. Në këtë moment kritik, uniteti, solidariteti dhe bashkëpunimi i ngushtë midis Aleatëve dhe partnerëve janë më thelbësore se kurrë për të mbrojtur vetë parimet mbi të cilat paqja dhe stabiliteti në kontinentin tonë janë ndërtuar prej kohësh”, nënvizon Hoxha.