Bernabeu nuk harron: Camavinga në qendër të kritikave pas eliminimit në Mynih

12:36 | 22 Prill 2026
D.H

Pas eliminimit të Real Madrid në Mynih, atmosfera në Santiago Bernabéu ishte e tensionuar dhe e pamëshirshme.

Tifozët madrilenë nuk kursyen askënd, duke shpërndarë përgjegjësi për dështimin, ndërsa emra si Vinicius Junior dhe Kylian Mbappé u vunë në shënjestër.

Megjithatë, ai që ndjeu më fort zemërimin e publikut ishte mesfushori francez, Eduardo Camavinga.

Edhe pse nuk e nisi ndeshjen si titullar, hyrja e tij në pjesën e dytë u shoqërua me fishkëllima të vazhdueshme – më të ashprat e mbrëmjes.

Çdo prekje e topit nga ana e tij u shoqërua me pakënaqësi nga tribunat, si pasojë e gabimeve të fundit, përfshirë përjashtimin në Allianz Arena, që rezultoi vendimtar në prag të vazhdimeve, si dhe paraqitjeve të dobëta kundër Mallorcës dhe Gironës.

Momenti më domethënës erdhi pas përfundimit të ndeshjes. Kur stadiumi po zbrazjej, Camavinga u rikthye në fushë i vetëm.

Ai bëri një xhiro të plotë në “Bernabéu”, duke duartrokitur tifozët dhe duke kërkuar falje me gjeste. Një akt që u interpretua si marrje e plotë e përgjegjësisë dhe një lloj “autondëshkimi” publik.

Pas ndeshjes, ish-mbrojtësi i Realit, Álvaro Arbeloa, doli në mbështetje të tij.

“Është një lojtar me shumë personalitet. Pavarësisht moshës së re, ka eksperiencë dhe është gjithmonë i gatshëm të ndihmojë ekipin”, tha ai.

Camavinga kishte kërkuar falje edhe më parë në rrjetet sociale për kartonin e kuq në Mynih, por këtë herë e bëri drejtpërdrejt përballë tifozëve.

Mesfushori francez po kalon një nga periudhat më të vështira që nga transferimi te Real Madridi. Ai ka humbur terren në formacion dhe është bërë objekt kritikash të shumta. Megjithatë, gjesti i tij në “Bernabéu”, i tregon se ai nuk ka ndërmend të largohet./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale