Flick dëshiron rinovimin me Barçën, ëndrra e tij ta fitojë Ligën e Kampionëve

14:16 | 21 Prill 2026
D.H

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka bërë të qartë se dëshiron të vazhdojë aventurën e tij në “Camp Nou”, duke shprehur hapur synimin për rinovim të kontratës deri në vitin 2028.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes së La Liga-s ndaj Celta Vigo, tekniku gjerman ishte i drejtpërdrejtë: ai ndihet i lumtur në Barcelonë dhe ka objektiva të mëdha me klubin katalanas.

Flick zbuloi dy synimet kryesore që dëshiron t’i realizojë me Barcelonën.

“Kam dy gjëra që dua shumë: të fitoj Ligën e Kampionëve dhe të jem trajner i Barçës kur stadiumi të përfundojë”, tha ai.

Ai theksoi se skuadra ka potencial për të arritur majat.

Liga e Kampionëve është një ëndërr e madhe për mua. Besoj se mund ta fitojmë, sepse kemi një ekip fantastik. Duhet të marrim vendime të zgjuara, edhe në merkato, pa bërë gabime”, vazhdoi ai.

I pyetur për kontratën, Flick konfirmoi se rinovimi është në planet e tij, por nuk është momenti për negociata.

“Po, ky është plani im. E kam thënë edhe më parë: ky do të jetë hapi im i fundit në karrierë. Ndihem shumë mirë këtu, por tani kemi javë shumë të rëndësishme dhe nuk është koha për të folur për kontrata”, u shpreh Flick.

Barcelona luan nesër ndeshjen e radhës ndaj Celta Vigos, dhe me një fitore do t’i afrohej edhe më shumë titullit kampion. Aktualisht Blaugrana kryeson La Ligan me nëntë pikë para Real Madridit./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale