Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka prezantuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në Komisionin për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, raportin e punës për vitin 2025.
Sipas njoftimit, gjatë periudhës janar–dhjetor 2025, Agjencia ka pranuar gjithsej 1,085 ankesa. Prej tyre, 927 kanë të bëjnë me qasjen në dokumente publike, ku 832 janë përmbyllur me vendime administrative, ndërsa 175 janë bartur për vitin 2026. Ndërkaq, për mbrojtjen e të dhënave personale janë pranuar 158 ankesa, prej të cilave 139 janë përfunduar dhe 19 janë bartur për vitin pasues.
Në funksion të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit, AIP thotë se ka realizuar 367 inspektime, prej tyre 226 sipas detyrës zyrtare dhe 141 bazuar në ankesa.
Agjencia njofton se ka vazhduar gjithashtu përpjekjet për harmonizimin e legjislacionit me standardet evropiane, përfshirë finalizimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Institucionet e Zbatimit të Ligjit, në përputhje me Direktivën e BE-së 2016/680.
Gjatë vitit 2025 janë ofruar 58 këshilla ligjore për sektorin publik, privat dhe qytetarët, ndërsa janë realizuar mbi 80 aktivitete informuese dhe janë trajnuar mbi 800 pjesëmarrës nga fusha të ndryshme.
Në kuadër të digjitalizimit, AIP ka lansuar Sistemin e Menaxhimit të Rasteve (CMS), i cili synon rritjen e efikasitetit dhe transparencës në ofrimin e shërbimeve.
Po ashtu thuhet se janë publikuar katër udhëzues për mbrojtjen e të dhënave personale, që mbulojnë fusha si privatësia në internet, përpunimi i ligjshëm i të dhënave, vlerësimi i ndikimit dhe sektori shëndetësor.
Në nivel ndërkombëtar, Agjencia potencon se ka marrë pjesë në mbi 20 aktivitete, përfshirë takime të Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave dhe organizimin e dy konferencave ndërkombëtare.
Tutje theksohet se Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2024 vlerëson se Agjencia ka funksionuar në mënyrë të pavarur dhe efikase, ndërsa legjislacioni në këtë fushë është në përputhje me standardet e BE-së, duke shënuar progres edhe në rritjen e ndërgjegjësimit dhe përgjegjshmërisë institucionale.
Osmani: Ata që punojnë në institucione e dinë kë e kemi thir...
Don Xhoni ka një “dhuratë” për fansat e tij
Rritja e çmimeve të naftës me efekt zinxhiror në disa fusha
Tensionet në rritje në Iran/ Kuvajti paralajmëron qytetarët:...
Rama: Në rrugën “Nurie Zeka” largohen mbeturinat inerte dhe ...
“Është fëmijërore, joserioze, kushdo që e ka parë si garë”, ...