Vjen reagimi i ashpër i agjentit të Salahut, pasi lojtari konfirmoi largimin nga Liverpooli

08:37 | 25 Mars 2026
D.H

Sulmuesi egjiptian Mohamed Salah ka konfirmuar se do të largohet nga Liverpool FC në fund të këtij sezoni, duke i dhënë fund një epoke në “Anfield” pas plot nëntë vitesh.

33-vjeçari, i cili kishte rinovuar kontratën e tij dyvjeçare me pagë rreth 400 mijë funte në javë vetëm një vit më parë, do të largohet si lojtar i lirë, pasi ka arritur marrëveshje me klubin për të mbyllur bashkëpunimin.

Menjëherë pas këtij njoftimi, reagoi edhe agjenti i tij, Ramy Abbas, i cili hodhi poshtë spekulimet për destinacionin e ardhshëm të yllit egjiptian.

“Ne nuk e dimë se ku do të luajë Mohamed sezonin e ardhshëm. Kjo do të thotë se askush tjetër nuk e di. Kujdes nga ata që kërkojnë vëmendje me lajme të rreme”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Sipas raportimeve, interesimi për Salahun pritet të jetë i madh nga klube në mbarë botën. Në vitin 2023, ai ishte objekt i një oferte marramendëse prej 150 milionë eurosh nga Al-Ittihad, ndërsa interes nuk mungon as nga MLS dhe klubet elitare evropiane.

Në një video emocionale lamtumire, Salah u shpreh:

“Përshëndetje të gjithëve. Fatkeqësisht, ka ardhur dita. Kjo është pjesa e parë e lamtumirës sime. Do të largohem nga Liverpool në fund të sezonit.

Nuk e kisha imagjinuar kurrë se ky klub, ky qytet dhe këta njerëz do të bëheshin kaq pjesë e jetës sime. Liverpool nuk është vetëm klub futbolli, është pasion dhe histori.”

Ai falënderoi veçanërisht tifozët:

“Nuk kam fjalë të mjaftueshme. Mbështetja juaj në momentet më të mira dhe më të vështira të karrierës sime është diçka që nuk do ta harroj kurrë. Do ta marr me vete gjithmonë. Për shkak të jush, unë kurrë nuk do të ec vetëm.”

Nga ana tjetër, klubi anglez konfirmoi vendimin e lojtarit, duke theksuar se ai dëshironte transparencë ndaj tifozëve dhe se do të fokusohet maksimalisht deri në fund të sezonit.

Salah largohet si një legjendë e klubit, duke qenë golashënuesi i tretë më i mirë në historinë e Liverpoolit me 255 gola në 435 ndeshje.

Gjatë qëndrimit të tij, ai fitoi dy tituj të Premier League, Ligën e Kampionëve, Kupën e Botës për Klube, Superkupën e UEFA-s, FA Cup dhe dy Kupa të Ligës./Arbresh.info

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale