Për thirrjet nacionaliste, Vardari dënohet vetëm një ndeshje pa tifozë dhe 5 mijë euro gjobë

16:40 | 23 Shkurt 2026
D.H

Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se në një mbledhje të jashtëzakonshme të Komisionit Disiplinor janë marrë disa vendime lidhur me incidentet në ndeshjen Vardari – Bashkimi dhe Shkëndija – Prespa.

Për organizim të dobët të ndeshjes mes Vardari dhe Bashkimi, për shkak të thirrjeve ofenduese dhe nacionaliste nga ana e grupit të tifozëve të Vardarit “Komiti” si dhe përdorimit të mjeteve të ndaluara piroteknike, klubi Vardari dënohet me ndalim të pranisë së publikut në një ndeshje dhe me gjobë në vlerë prej 5.000 eurosh.

Komisioni Disiplinor ka konstatuar se vendimi i delegatit të ndeshjes për shqiptimin e vërejtjes për shkak të thirrjeve nacionaliste ka qenë i drejtë, ashtu si edhe vendimi i gjyqtarit për ndërprerjen e përkohshme të takimit.

Komisioni Disiplinor ka hapur procedurë ndaj delegatit të ndeshjes Shkëndija Haraçinë – Prespa, për mosdorëzimin e fakteve relevante lidhur me situatën rreth vendosjes së flamurit shtetëror në stadium, si dhe për rrethana të tjera që lidhen me organizimin dhe zhvillimin e ndeshjes, konkretisht praninë e personave jozyrtarë në fushë gjatë takimit.

Komisioni Disiplinor do të veprojë në përputhje me rregulloret në fuqi dhe, pas konstatimit të plotë të gjendjes faktike, do të marrë vendim përkatës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme