Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot se nevojitet më shumë koordinim në funksion të negociatave me Bashkimin Europian, të cilin e cilësoi një objektiv historik dhe strategjik për Shqipërinë.
Në nisje të podkastit “Flasim”, kryeministri Rama bëri përmbledhjen e zhvillimeve më kryesore të javës, duke u ndalur te mbledhjet-maratonë të qeverisë dhe grupit parlamentar për piketat e vitit politik 2026.
“Të dyja këto takime kanë synuar vendosjen e piketave të vitit politik 2026 dhe, ndërkohë që për sa i takon mbledhjes së qeverisë puna ka qenë një punë e fokusuar te vazhdimësia, te programi dhe kalendari i zbatimit të tij sipas sektorëve, në takimin e grupit parlamentar jemi fokusuar te domosdoshmëria për të rritur kapacitetin në funksion të negociatave”, bëri të ditur Rama.
Kjo, sipas tij, “do të thotë më shumë koordinim, më shumë ndërveprim, më shumë organizim dhe, mbi të gjitha, më shumë përqendrim te ky objektiv historik dhe strategjik për Shqipërinë”.
“Është e qartë dhe duhet të jetë e qartë për të gjithë shumicën qeverisëse, për cilindo dhe cilëndo që është në pararojën e Partisë Socialiste, duke qenë në nivelin më të lartë të përfaqësimit, se ky proces është një proces që do të vijë duke u vështirësuar, jo më vit pas viti, por muaj pas muaji, pasi kemi të bëjmë me një volum legjislativ që kurrë më parë nuk ka kaluar filtrin vendimmarrës të Republikës së Shqipërisë, nga konsultimi publik te Qeveria dhe pastaj te Parlamenti”, theksoi Kryeministri.
Por, Rama u shpreh besimplotë që grupi parlamentar i PS-së do të jetë në lartësinë e kësaj sfide.
“Ndërkohë që kemi folur edhe për aspekte të tjera, duke dëgjuar raportimet e të gjithë komisioneve dhe njëkohësisht duke u përqendruar te disa pika kyçe. Këto pika kyçe kanë të bëjnë me domosdoshmërinë për të rritur kapacitetin edhe në funksion të informimit të publikut, për të rritur komunikimin me, në radhë të parë, anëtarësinë dhe mbështetësit e Partisë Socialiste dhe për të rritur intensitetin e betejës me frontin e gjerë të dezinformimit që shtrihet në të gjitha 700 ‘tenxheret’ politike e mediatike, të cilat bubullojnë e gërgërojnë përditë, ditë e natë, por do ta kenë të pamundur të na ndalin në këtë rrugë pa kthim drejt Shqipërisë në Bashkimin Europian”, shtoi ai.
Xabi Alonso në ‘radarin’ e Eintracht Frankfurtit
Zjarr masiv në një qendër tregtare në Pakistan, 6 të vdekur ...
Rama reagon për herë të parë për vendimin e SHBA-së: Amerika...
Mësohet sa do të mungojë Rrahmani pas dëmtimit që pësoi
Tri oferta nga Bundesliga, agjencia e Dakut flasin për një k...
Vazhdon procesi në QNR, rinumërohen më shumë se gjysma e 914...