Arteta: Shpresojmë që kemi mësuar nga viti i kaluar, sepse ishte i dhimbshëm

14:27 | 14 Janar 2026
D.H

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, shpreson që ky të jetë sezoni i duhur për ekipin e tij për të fituar trofe.

“Topçinjtë” vazhdojnë garën në Premier League dhe sonte do të përballen me Chelsean në gjysmëfinalen e Carabao Cup.

“Futbolli gjithmonë të jep një shans tjetër. Kemi qenë vërtet të qëndrueshëm këtë sezon dhe sot do të përballemi me Chelsean. Për të arritur në finale, do të na duhet të eliminojmë një ekip tjetër të madh. Ky është misioni ynë”, u shpreh Arteta.

Trajneri spanjoll theksoi gjithashtu rëndësinë e nxjerrjes së mësimeve nga sezoni i kaluar.

“Shpresojmë që kemi mësuar nga viti i kaluar, veçanërisht për mënyrën si u zhvilluan disa ndeshje dhe për numrin e rasteve që humbëm. Këtë vit duam të jemi më të mirë dhe më efikasë”, tha spanjolli.

Përballë Arsenalit do të jetë një Chelsea me trajner të ri në stol, Liam Rosenior. Arteta pati fjalë respekti për kundërshtarin.

“Njoh njerëz që kanë punuar me të dhe flasin shumë mirë. I uroj gjithë të mirat, përveç sfidës së sotme”, deklaroi ai.

Ndeshja mes Chelseas dhe Arsenalit luhet sonte nga ora 21:00./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale