Jude Bellingham ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve se ka pasur përçarje mes tij dhe ish-trajnerit të Real Madridit, Xabi Alonso.
Alonso u largua nga Real Madridi të hënën, në mënyrë të papritur, pas një marrëveshjeje të ndërsjellë me klubin.
Menjëherë pas njoftimit, në media nisën të qarkullojnë thashetheme për probleme në dhomat e zhveshjes dhe pakënaqësi të disa lojtarëve me metodat e trajnerit spanjoll.
Sipas këtyre raportimeve, Alonso thuhej se kishte një marrëdhënie të vështirë me Vinícius Júnior, ndërsa edhe disa lojtarë të tjerë nuk ishin të kënaqur me sistemin e tij të lojës. Mes emrave të përmendur ishte edhe Jude Bellingham, për shkak të ndryshimeve të shpeshta të pozicionit të tij në fushë, si dhe Rodrygo, i cili thuhej se nuk e pëlqente skemën 4-4-2.
Por mesfushori anglez ka vendosur t’i japë fund këtyre spekulimeve. 22-vjeçari reagoi me tone shumë të forta përmes një deklarate në aplikacionin e tij, JB5.
“Deri tani kam lënë të kalojnë shumë prej këtyre gjërave, gjithmonë duke shpresuar se e vërteta do të dilte vetë në pah me kalimin e kohës.”
“Por sinqerisht… çfarë marrëzie e madhe. Më vjen keq për njerëzit që kapen pas çdo fjale të këtyre ‘klounëve’ dhe ‘burimeve’ të tyre.”
“Mos besoni gjithçka që lexoni. Herë pas here, këta njerëz duhet të mbahen përgjegjës për përhapjen e këtij lloji të dezinformatave të dëmshme, vetëm për klikime dhe sensacion”, ka shkruar Jude.
Më herët, Bellingham kishte postuar edhe një mesazh falënderues për Xabi Alonson në Instagram, të shoqëruar me dy fotografi të përbashkëta.
“Faleminderit, Mister. Ishte kënaqësi. Të uroj gjithë të mirat në të ardhmen”, tha ai.
Pas transferimit te Real Madridi, Alonso kishte konfirmuar se do ta përdorte Bellinghamin si mesfushor dhe e kishte cilësuar atë si një “lojtar të jashtëzakonshëm”.
Nën drejtimin e Xabi Alonsos, Jude Bellingham zhvilloi 29 ndeshje me fanellën e Real Madridit, duke shënuar 6 gola dhe dhënë 5 asistime./Arbresh.info
Apeli ia zbut dënimin shitësit të armës me të cilën dyshohet...
Rinumërimi i votave, përmbyllet procesi në dy komuna
Hoti: Keqmenaxhimi i sektorit të energjisë elektrike po i kt...
Limi dhe Dolce s’i kursejnë puthjet as para Albës
Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e FSHF do të mbahet më 16...
Arratisja e Altin Ndocit, Ministria e Drejtësisë shkarkon dr...