Real Madridi ka nisur një etapë të re, vetëm 24 orë pasi Xabi Alonso u shkarkua nga posti i trajnerit të ekipit të parë. Në vend të tij është emëruar Álvaro Arbeloa, i cili deri më tani drejtonte Castillan. Arbeloa ka një miqësi të ngushtë me trajnerin tolosar, por tashmë nuk ka pothuajse aspak kohë për t’u përgatitur për debutimin e tij në stolin e ekipit të parë.
Sfida e parë për të do të jetë këtë të mërkurë, nga ora 21:00, kur Real Madridi do të përballet me Albaceten në stadiumin “Carlos Belmonte”, në kuadër të fazës së 1/8-ve të finales së Kupës së Mbretit. Klubi madrilen ka vendosur tashmë edhe mënyrën e udhëtimit drejt tokave manchege, pasi në raundin e mëparshëm kishte udhëtuar drejt Talaverës (2-3).
Sipas asaj që raporton Defensa Central, Reali do të udhëtojë drejt Albacetes po në ditën e ndeshjes. Është hedhur poshtë mundësia e udhëtimit me AVE apo autobus dhe është zgjedhur avioni, praktikë kjo e zakonshme për klubin nga “Concha Espina”, përveç rasteve kur ka pengesa logjistike. Ekipi, tashmë nën drejtimin e Arbeloas, si dhe drejtuesit e klubit, do të nisen nga aeroporti “Adolfo Suárez Madrid-Barajas” drejt aeroportit të “Los Llanos”. Distanca mes dy qyteteve është rreth 250 kilometra, ndërsa udhëtimi me avion zgjat vetëm rreth gjysmë ore.
Ende nuk dihet ora e saktë e mbërritjes së Real Madridit në Albacete, por pritet që delegacioni të aterrrojë në mesditë. Pas mbërritjes, skuadra do të ndjekë rutinën e zakonshme të përqendrimit para ndeshjes, e cila do të luhet në një “Carlos Belmonte” plot e përplot. Abonentët e Albacetes kanë tërhequr tashmë edhe biletat e fundit, duke bërë që stadiumi të presë rreth 17.500 tifozë për këtë ngjarje të veçantë për vendasit.
Rikthim në Albacete pas 21 vitesh
Kjo e mërkurë do të jetë shumë emocionale për Real Madridin, i cili rikthehet të luajë në “Carlos Belmonte” pas 21 vitesh. Hera e fundit ishte më 3 prill 2005, në një ndeshje kampionati, kur Albacete ishte pjesë e La Ligës. Atëherë, vendasit ia vështirësuan shumë punën madrilenëve, por Reali arriti të përmbysë rezultatin me gola nga Iván Helguera dhe Michael Owen (1-2).
Në total, dy skuadrat janë përballur 14 herë dhe Real Madridi nuk ka pësuar asnjë humbje, me 11 fitore dhe 3 barazime.
Reali nuk dëshiron surpriza dhe synon të vazhdojë rrugëtimin e tij në Kupën e Mbretit këtë sezon. Për më tepër, kjo ndeshje shënon debutimin e Arbeloas si trajner i ekipit të parë, çka i shton edhe më shumë interes sfidës. Pas përfundimit të takimit, skuadra do të kthehet sërish me avion drejt Madridit.
Vëmendja do të jetë edhe te gjendja e të dëmtuarve, veçanërisht te Kylian Mbappé. Francezi, i cili pati minuta loje ndaj Barcelonës (3-2) në finalen e Superkupës së Spanjës, vazhdon të ketë shqetësime në këmbën e majtë dhe mbetet për t’u parë nëse do të udhëtojë me ekipin.
Qindra të arrestuar në Francë pas festimeve të çmendura të L...
Ferit Hoxha viziton Kosovën, pritet nga Haxhiu, Kurti dhe Ko...
Sot përfundon afati për regjistrimin e votuesve me nevoja të...
Moti sot në Kosovë
Rice mbron Gabriel dhe Eze: Pa ta nuk do ta kishim fituar Pr...
Plagosje me thikë në Lushnjë, i mituri qëllon dy herë një 40...