“Nuk kemi emër tjetër, ne jemi Kosova, kemi flamurin, historinë dhe identitetin tonë” – Sadriu iu përgjigjet huliganëve rumun

21:53 | 12 Janar 2026
D.H

Mbrojtësi kosovar Leard Sadriu po kalon një sezon të shkëlqyer në Superligën rumune me fanellën e Arges Pitești, ku është shndërruar në një nga shtyllat kryesore të skuadrës.

Qendërmbrojtësi 24-vjeçar ka regjistruar 20 paraqitje dhe 3 gola gjatë pjesës së parë të sezonit, duke tërhequr vëmendje me paraqitjet e tij konstante dhe lidershipin në mbrojtje.

Sadriu ka nisur rrugëtimin e tij futbollistik te Ferizaj, për të vazhduar më pas te Shkëndija e Tetovës dhe Skënderbeu i Korçës.

Tre sezonet e fundit ai i kaloi te Mura në Slloveni, përpara se të transferohej në kampionatin rumun, ku ka gjetur hapësirën ideale për t’u afirmuar.

Në një intervistë për Gazeta Sporturilor, Sadriu foli për përvojën e tij në Rumani, adaptimin në qytetin e Piteștit dhe raportin me klubin dhe tifozët, duke theksuar se është ndier i mirëpritur që nga dita e parë.

“Tek Argesi jam pritur shumë mirë, me duar të hapura nga të gjithë. Kam punuar fort gjatë kësaj periudhe dhe shpresoj ta vazhdoj në të njëjtën mënyrë edhe në pjesën e dytë të kampionatit”, u shpreh ai.

Mbrojtësi kosovar e vlerëson Superligën rumune si një platformë të rëndësishme zhvillimi, që mund të hapë dyert drejt kampionateve më të mëdha evropiane. Megjithatë, ai thekson se aktualisht është plotësisht i fokusuar te skuadra e tij aktuale.

“Ka pasur interesim nga skuadra të tjera, por mendja ime është vetëm te Argesi. Dua të jap maksimumin për klubin dhe të përfundojmë sezonin me sukses”, shtoi Sadriu.

Ai foli edhe për jetën jashtë fushës, duke theksuar se ndihet shumë mirë në Rumani dhe i vlerësuar si profesionist dhe si njeri.

“Ky vend më pëlqen shumë. Njerëzit janë të respektueshëm dhe të vlerësojnë për atë që je dhe për punën që bën, jo për prejardhjen. Kjo për mua ka shumë rëndësi”, tha ai.

Një nga temat më delikate që Sadriu preku ishte sjellja e disa grupeve huliganësh rumunë, të njohur si ‘Uniti Sub Tricolor’, të cilët herë pas here kanë shpalosur pankarta me mesazhe provokuese si “Kosova është Serbi” gjatë ndeshjeve të përfaqësueses rumune.

“Kjo është më shumë çështje politike dhe nuk dua të hyj në atë pjesë. Ne jemi shtet. Për këtë luajmë dhe përfaqësojmë vendin tonë. Nuk kemi emër tjetër. Ne jemi Kosova. Kemi flamurin, historinë dhe identitetin tonë. Jemi të pranuar nga FIFA dhe UEFA – nëse nuk je shtet, nuk mund të jesh pjesë e tyre. Ky është realiteti”, u shpreh Sadriu me vendosmëri.

Sadriu kujtoi gjithashtu fillimet e vështira të karrierës, duke përmendur sakrificat e familjes së tij për ta mbështetur në rrugën e futbollit dhe fëmijërinë e kaluar në një Kosovë që po ringrihej pas luftës.

Në fund, ai nuk e përjashtoi mundësinë që Kosova dhe Rumania të përballen në finalen e play-off-it për kualifikim në Kampionatin Botëror. Kosova do të ndeshet me Sllovakinë, ndërsa Rumania me Turqinë, duke lënë të hapur mundësinë për një përballje historike mes dy përfaqësueseve./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale