Tifozët në revoltë kundër FIFA-s, biletat e Botërorit shkojnë deri në 8,600 dollarë

08:34 | 12 Dhjetor 2025
E.K

Publikimi i listës së çmimeve për turneun e ardhshëm ka shkaktuar një valë zemërimi global, me organizatat e tifozëve që akuzojnë FIFA-n për një “tradhti monumentale” ndaj mbështetësve besnikë.

Shkëndija e këtij reagimi ishte publikimi i një liste nga Federata Gjermane e Futbollit, e cila zbuloi koston reale që tifozët do të duhet të paguajnë për biletat e alokuara për ekipet kombëtare (8% e totalit të stadiumit).

Shifrat tronditëse, nga 21$ në 8,000$

Diferenca midis asaj që ishte premtuar dhe realitetit duket se është marramendëse. Kur SHBA ofroi për të pritur turneun 7 vite më parë, objektivi ishte që biletat e fazës së grupeve të kushtonin rreth 21 dollarë.

Sipas listës gjermane, çmimet për fazën e grupeve variojnë nga 180 deri në 700 dollarë.

Situata bëhet edhe më dramatike për ndeshjet finale. Çmimi më i ulët për të parë finalen është 4,185 dollarë, ndërsa më i larti arrin shifrën rekord prej 8,680 dollarë.

Për shembull, vetëm për ndeshjen hapëse të Gjermanisë kundër Curacao në Hjuston, bileta më e lirë kushton 180 dollarë, ndërsa për një gjysmëfinale çmimet nisin nga 920 dollarë.

Reagimi i FSE

Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, FIFA po aplikon “çmimet dinamike”, një praktikë ku kostoja rritet në bazë të kërkesës, ngjashëm me biletat e koncerteve apo linjave ajrore.

Organizata “Football Supporters Europe” (FSE) ka reaguar ashpër, duke i kërkuar FIFA-s të ndalojë menjëherë shitjen përmes shoqatave kombëtare.

“Kjo është një tradhti monumentale e traditës së Kupës së Botës, duke injoruar kontributin e mbështetësve në spektaklin që është. Çmimet janë të tepruara,” thuhet në deklaratën e FSE.

Ata kërkojnë pezullimin e procesit derisa të gjendet një zgjidhje që respekton “universalitetin dhe rëndësinë kulturore” të turneut, duke e bërë atë të aksesueshëm për tifozët e vërtetë dhe jo vetëm për elitën financiare./rtsh