Rritja ekonomike 3.5% në Shqipëri, ndikuan pagat e administratës, bujqësia dhe industria në rënie të ndjeshme

20:24 | 29 Shtator 2025
E.H

Rritje ekonomike në Shqipëri por pa bujqësi e industri. Është kjo pasqyra e ekonomisë së vendit tonë në tremujorin e dytë të vitit teksa prodhimi i brendshëm bruto arriti në 3.51% sipas të dhënave të raportuara nga Instituti I Statistikave.

Është administrata me rritjen e pagave e cila po udhëheq këtë tregues duke ndikuar me 1.65% ose thënë ndryshe sa gjysma e rritjes ekonomike. Ku për të njëjtën periudhë kohore, paga mesatare në administratë arriti në rreth 100 mijë lekë e rritur me pothuajse 16%.

Ndonëse më pak turistë e kanë vizituar Shqipërinë se një vit më parë, turizmi vijon të jetë një ndër treguesit kryesor që ndikon në rritjen ekonomike, pas pagave, kontributi i turizmit arriti sa 0.47% e PBB në periudhën prill- qershor. Ndërsa të tretët qëndrojnë aktivitetet e pasurive të paluajtshme dhe ndërtimi.

Ndërsa sektorët prodhues në vend vijuan rënien disa vjeçare. Më i thelluar ky raport vërehet tek bujqësia e cila ndikoi negativisht në PBB -0.46 %,. Ndërsa industria – 0.18%.

Nga ana tjetër konsumi final I popullatës arriti në 3.88% ndërsa ai I qeverisë 12.44%./tch

Shpërndaje në rrjete sociale