Teksa afron data kur trupi gjykues në Dhomat e Specializuara pritet të vendosë për mocionin e mbrojtjes për rrëzimin e disa pikave të aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, tensionet mes mbrojtjes dhe Prokurorisë janë rritur. Prokuroria i kërkon mbrojtjes listën e dëshmitarëve deri më 18 gusht, kërkesë që po kundërshtohet me arsyetimin për vonesa në qasje ndaj materialeve relevante. Sipas ekspertëve, ky ritëm e shtyn një vendim të mundshëm përtej vitit 2025.
Ka mbetur edhe një javë që Prokuroria të kthejë përgjigje për mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit për rrëzimin e pikave të aktakuzës. Nga Gjykata Speciale kanë bërë të ditur për RTK-në afatet që kanë palët pas kësaj.
Trupi gjykues i dha afat mbrojtjes deri më 12 qershor për të paraqitur kërkesën e përbashkët për rrëzimin e akuzave dhe Prokurorisë deri më 7 korrik për t’iu përgjigjur kërkesës. Trupi gjykues ka thënë se do të vendosë për mocionin deri më 14 korrik. Ky proces do të bëhet me shkrim. Në lidhje me seancat e ardhshme, trupi gjykues kërkoi nga mbrojtësit e viktimave që të jenë të gatshëm të paraqesin rastin e tyre duke filluar nga 16 korriku, derisa jemi në pritje të vendimit për mocionin për hedhjen e pikave të aktakuzës.
E tani që po afrohet radha e mbrojtjes për punën e saj, avokatët kanë bërë një kërkesë për disa afate lidhur me dorëzimin e listave të dëshmitarëve. E këtë e ka kundërshtuar Prokuroria, e cila vet kishte dorëzuar prova edhe pas afatit të fundit.
Ajo ka kërkuar nga mbrojtja që deri më 18 gusht të dorëzohen listat e plota të dëshmitarëve, për çka i janë përgjigjur avokatët mbrojtës.
Disa ekipe të Mbrojtjes kanë pasur vështirësi në marrjen e bashkëpunimit nga ofruesit e Rregullës 107 dhe kanë përjetuar vonesa të konsiderueshme në marrjen e përgjigjeve ose materialeve të kërkuara, duke çuar në vonesa pasuese në përpunimin dhe përgatitjen e çështjes së Mbrojtjes. Për shembull, Mbrojtja e Thaçit kërkoi zbulimin e dokumenteve nga një ofrues në vitin 2022, por mbi 900 artikuj të kërkuar u zbuluan gjatë majit dhe qershorit 2025.
Sipas mbrojtjes, kritikat e prokurorisë janë të padobishme.
Përveç kësaj, parashtrimet e ZPS-së në lidhje me kohëgjatësinë e mbylljes së çështjeve të ZPS-së dhe Konferencave Përgatitore të Mbrojtjes janë të padobishme dhe hutuese.
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se sipas këtyre zhvillimeve, nuk pritet që brenda këtij viti të ketë vendim të shkallës së parë.
“Është strategji e prokurorisë që në njëfarë mënyrë ti jap sa më pak kohë mbrojtjes për tu përgatitur për të kundërshtuar aktakuzën, për të përgatitur dëshmitarët të cilët në njëfarë mënyre e thonë të kundërtën e asaj që e ka thënë ose e ka dërguar dëshmi prokuroria, por çka është e rëndësishme është ajo çka vendos trupi gjykues, trupi gjykues ka qenë jashtëzakonisht dorëlirë me prokurorinë prej fillimit të procesit deri më tani”, tha Miftaraj.
Ndërkohë, mbrojtja e të akuzuarve deri më tani ka njoftuar se planifikojnë të thërrasin 20 deri në 25 dëshmitarë, ku 15 prej tyre do të dëshmojnë në sallën e gjyqit. Nga ta, 12 nga mbrojtja e Thaçit, numër që mund të reduktohet, 10 nga mbrojtja e Krasniqit, derisa ajo e Veselit dhe Selimit nuk kanë planifikuar të thërrasin dëshmitarë./rtk
Vuçiq përballet me presion në rritje pas protestave studento...
KFOR-i riafirmon përkushtimin për sigurinë në Kosovë
Keith Self: Të zbatohen të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni...
Të shtëna me armë në Breg të Diellit, Policia konfirmon vdek...
Aksident në hyrje të tunelit të Kalimashit, raportohet për t...
Krisma armësh në Prishtinë, dyshohet për një të plagosur