“Dosja e pambyllur” / 11 vjet nga vrasja misterioze e Elvis Pistës

11:41 | 16 Qershor 2025
Gita

Të dielën që lamë pas u bënë fiks 11 vjet nga vrasja misterioze e kandidatit për deputet në zgjedhjet e vitit 2014 nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Elvis Pista.

Ka kaluar një dekadë nga vrasja misterioze e Pistës, vrasje kjo më shumë pista hetimi, por me asnjë të dyshuar deri sot, raporton Arbresh.info.

Pista ishte vrarë në mënyrë tinëzare dhe të mirë inskenuar mesnatën e 15 qershorit të vitit 2014, duke u goditur me armë zjarri nga afërsia, derisa po dilte nga një restorant në Rahovec, ku ishte bashkë me bashkëshorten e tij për të festuar ditëlindjen e saj, raporton Arbresh.info.

Dorasi, nuk u kap kurrë, as sot e 11 vjet nga vrasja e tij, madje nuk ekziston asnjë i dyshuar.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Drini Domi për Arbresh.info, tha se hetimet për zbardhjen e këtij rasti po vazhdojnë, por ende nuk asnjë i dyshuar.

“Referuar kërkesës tuaj, ju njoftojmë se rasti është duke u trajtuar nga ana e Prokurorisë Themelore Gjakovë, dhe janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme për zbardhje e këtij rasti”, tha Domi.

Përveç përfshirjes së tij në politikë, ku mori një përkrahje të jashtëzakonshme nga bashkëvendësit e tij në Rahovec, Elvis Pista ishte i njohur edhe në botën e biznesit, e shitblerjen e makinave, kurse kishte punuar edhe në Post Telekomin e Kosovës.

Lënda nga fillimi ishte trajtuar nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Uka, ndërsa pas daljes së tij në pension, rasti i kalon tek një prokuror tjetër po i kësaj prokurorie.

Smakiqi: Vrasja e Elvis Pistës, kategori e krimit të errët

Avokati dhe njohësi i fushës së drejtësisë, Xhevdet Smakiqi, vrasjen e Pistës e cilëson si një kriminalitet gri, që sipas tij edhe në shtetet më të avancuara, zbulimi i tyre është i vështirë.

“Kriminaliteti gri apo i errët që në jetën njerëzore edhe në shtetet me sistem të avancuara të zbulimit dhe hetimit penal ka një përqindje siç përshkruhet në teoritë e drejtës penale dhe doktrinës kriminalistike rreth 15% mbetet i pa zbuluar në kuptim të identifikimit te kryesve misterioz metodave inteligjente dhe minimizimit te gjurmëve dhe provave materiale’, thotë ai.

Sipas tij, vrasësit e Pistës në këtë rast kanë bërë një organizim inteligjent të planifikuar të kryerjes se vrasjes se rëndë.

“Ne këtë kategori të krimit të errët hyjnë edhe vrasja e Elvis Pistës në Rahovec, ku sot e asaj dite organet e hetuesisë me kompetencë territoriale nuk kanë arritur të identifikojnë kryesit potencial për shkak të mënyrës se kryerjes, minimizimit, apo zhdukjes se gjurmëve te krimit për çka ky lloji dhe modus operandi i kryerjes se vrasjes e definon organizimin inteligjent te planifikuar te kryerjes se vrasjes se rëndë”, shprehet Smakiqi.

Ai ka përmenduar edhe disa vrasje të tjera të pazbardhura që nga paslufta, duke përfshirë këtu edhe vrasjen sipas tij të Qerim Kelmdenti në Pejë.

“Edhe në gjithë historikun e kriminalitetit në Kosovën e paraluftës, por edhe duke pasur parasysh edhe pas vitit 1999, kur Kosova administrohej nga UNMIK-u e më vonë edhe pas pavarësisë së Kosovë vitit 2008, kemi pasur raste të cilat kryesit e vrasjeve të rënda nuk ishin zbuluar përfshirë edhe vrasjet e veprimtarëve politik nga radhët e LDK-se, por nuk janë zbuluar edhe vrasjet e ish- pjesëtarëve te UÇK-se rasti eklatant i vonshëm, është rasti i Qerim Kelmendit në Pejë”, shprehet Smakiqi.

Ne kuptimin formal jurdik mbështetur ne dispozitat e Kodit Penal te Republikës se Kosovës, sipas tij, organet e drejtësisë nuk duhet dhe janë te detyruara të mos ndalin veprimet hetimore në rastin Pista, por edhe rastet tjera të pa zbardhura, pasiqë sipas tij, këtu parashkrimi i këtyre veprave penale rënda nuk vjen në shprehje pasi dënimi me burgim janë jo me pak se 10 vjet dhe deri ne burgim të përhershëm sipas nenit 173 te Kodit Penal te Republikës se Kosovës.

Ndryshe, në vitin 2016, Prokuroria Themelore e Gjakovës kishte raportuar se ishin intervistuar rreth 94 dëshmitarë, por pa asnjë rezultat konkret.
Po ashtu, ishin kryer përgjime të 33 personave dhe 56 numra telefoni, por asnjë provë nuk çoi në identifikimin e autorëve. Hetimet vazhduan, por deri tani në vitin 2025 , prokuroria konfirmoi se nuk kishte asnjë provë të re që do të çonte në zbardhjen e rastit.

Familja e Elvis Pistës ishte shprehur e zhgënjyer për dështimin e institucioneve të drejtësisë në zbardhjen e vrasjes. Në vitin 2017, motra e tij, Beatrisa Pista-Demiri, shpalli një shpërblim prej 200 mijë eurosh për çdo informacion që do të çonte në identifikimin e autorëve, duke ofruar gjithashtu mbrojtje për dëshmitarët, por pa sukses./Arbresh.info/ Gita Lushi-Roka/

 

Të ngjashme