Netanyahu: Izraeli do të intensifikojë sulmet ndaj Hezbollahut në Liban

09:07 | 26 Maj 2026
E.K

Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli do të shtojë intensitetin e operacioneve ushtarake kundër Hezbollah në Liban, ndërsa tensionet në rajon vazhdojnë të përshkallëzohen pavarësisht armëpushimit të brishtë mes palëve.

Netanyahu tha se Izraeli është “në luftë me Hezbollahun” dhe se kishte urdhëruar ushtrinë të “rrisë intensitetin e goditjeve”. Ai deklaroi se operacionet izraelite deri tani kanë eliminuar “mbi 600 militantë të Hezbollahut”.

“Do të shtojmë sulmet tona, do të rrisim fuqinë tonë të zjarrit dhe do t’i shkatërrojmë”, u shpreh ai.

Sipas ushtrisë izraelite, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë nisur një valë të re sulmesh ajrore në disa zona të Libanit, përfshirë Lugina Bekaa dhe rajone të tjera në jug të vendit. Ushtria tha se objektivat ishin infrastruktura dhe pozicionet e Hezbollahut.

Nga ana tjetër, Hezbollahu njoftoi se ka kryer 22 sulme me raketa dhe dronë ndaj objektivave izraelite në veri të Izraelit dhe në Libanin jugor, duke pretenduar se sulmet ishin përgjigje ndaj “shkeljeve të armëpushimit” nga Izraeli. Grupi tha se kishte goditur ushtarë izraelitë, tanke, kazerma dhe poste ushtarake.

Përshkallëzimi i ri i konfliktit vjen megjithëse Izraeli dhe Libani kishin rënë dakord më herët këtë muaj për të zgjatur armëpushimin me 45 ditë. Megjithatë, përplasjet mes dy palëve kanë vazhduar pothuajse çdo ditë.