Janë bërë tre vjet prej kur Prokuroria e Shtetit të Kosovës ka mbetur pa “zot” shtëpie.
Një nga pozitat më të rëndësishme të vendit po vazhdon të mbahet me ushtrues detyre, raporton Arbresh.info.
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës për Arbresh.info thekson se sistemi ligjor dhe Kushtetues i Kosovës nuk parashikon afate për procedurën e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit, gjë që sipas tij, ka çuar në një zvarritje të gjatë të këtij procesi.
“Meqenëse as Kushtetuta e Kosovës e as Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk përcakton afate se çka ndodh në rastet kur një propozim i ofruar për pozitën e kryeprokurorit të Shtetit nuk merr dekretimin e Presidentes apo Presidentit të shtetit, atëherë pra, sipas ligjit por edhe në Kushtetutë nuk janë të specifikuara afatet kohore se a duhet procesi të kthehet edhe një herë në pikën zero apo thjesht presidentja obligohet që vetëm ta dekretojë kandidaturën për kryeprokuror të Shtetit”, shpjegon ai.
Sipas tij, IKD ka kërkuar që me rastin e ndryshimit të Ligjit të Këshillit Prokurorial (KPK), të vendoset një afat i qartë, 60 apo 90 ditësh, brenda të cilit Presidenti/ja duhet të marrë një vendim për dekretimin e kandidatit të propozuar.
Megjithatë, ky propozim nuk u miratua në ndryshimet e fundit të ligjit duke bërë që të mos ketë afate të qarta, apo procedurë të qartë si veprohet në situatën kur një kandidature e propozuar nga ana e Këshillit Prokurorial nuk merr dekretimin e Zyrës së Presidentit të Kosovës.
“Fatkeqësisht ky propozim nuk ka kalu në ndryshimet e reja të Ligjit për Këshillin Prokurorial, rrjedhimisht ne jemi ende në një situatë ku nuk është e rregulluar mirë çështja e propozimit dhe afatit të vendosjes për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit nga momenti kur Këshilli i kryen procedurat e rekrutimit dhe i dërgohet presidentit për dekretim të kandidatit”, shton ai.
Ai e vlerëson si absurd faktin që kjo pozitë kaq e ndjeshme dhe e rëndësishme po vazhdon të mbetet dhe të ushtrohet me ushtrues detyre, duke shtuar se kjo është në kundërshtim me të gjitha standardët dhe praktikat e mira kushtetuese të menaxhimit dhe administrimit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
“Ligjërisht por edhe kushtetutshmërisht, kjo është një pozitë që i takon një personi dhe kandidatit i cili emërohet, rekrutohet në bazuar të procedurave dhe standardeve të rregullta të caktimit dhe emërimit të kandidatit për kryeprokuror të Shtetit”, thekson Bugaqku.
Nrecaj: Lufta mes Këshillit Prokurorial dhe Qeverisë së Kosovës, lë vendin pa Kryeprokuror
Në anën tjetër juristit Anton Nrecaj, thotë se kjo situatë ka sjellë pasiguri juridike dhe institucionale.
Ai për Arbresh.info thotë se kjo zvarritje është pasojë e “luftës” mes Këshillit Prokurorial dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për kontroll të Prokurorisë së Shtetit.
“Tashmë jemi pothuajse më shumë se tre vjet që kur Republika e Kosovës nuk ka Kryeprokuror të Shtetit dhe mungesa e mos emërimit, apo mos dekretimit nga ana e institucioneve përgjegjëse për emërimin e kryeprokurorit të shtetit, shpien në një pasiguri juridike në sundimin e rendit dhe të ligjit. Kjo për shkak të ‘luftës’ mes Këshillit Prokurorial dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, në luftën të cilën e kanë për interesat e ngushta të grupacioneve të ndryshme, të cilat kanë për qëllim, në një formë ose në tjetër, që të mbajnë në kontroll Prokurorinë e Shtetit,” shprehet ai.
Tutje, ai thekson se gjithçka ka mbetur në Zyrën e Presidencës, e cila, siç thekson Nrecaj, e ka mandatin që të dekretojë apo jo kandidatin.
Arbresh.info ka dërguar pyetje edhe në drejtim të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) se a ka hapur konkurs dhe çfarë ka ndodhur me çështjen e kësaj pozite kaq të rëndësishme, mirëpo deri në publikimin e artikullit nuk ka marrë përgjigje.
Ndryshe, dekretimi i kandidatit me më së shumti pikë, Blerim Isufaj, po refuzohet kategorikisht nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kjo për shkak se, sipas saj, janë gjetur disa shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, emrin e të cilit Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ia ka propozuar qysh më 8 prill 2022.
Megjithatë, këta të fundit nuk hoqën dorë nga kandidati Blerim Isufaj.
Pas refuzimit nga ana e presidentes, kësaj të fundit iu propozua emri i Blerim Isufajt edhe për herë të dytë në Nëntor të vitit 2023.
E deri më tani nuk ka lëvizur asgjë sa i përket kësaj çështjeje./Arbresh.info/Erolinda Gashi/
Punëtorët e KRU “Hidrodrini” në grevë paralajmëruese
Dyshohet për aksident të rëndë në autostradën “Arbën Xhaferi...
Policia e Kosovës prezanton planin e sigurisë për zgjedhjet ...
Takim i veçantë në Bruksel/ Kryeministri Rama pritet nga Ant...
Këshilli i BE miraton konkluzionet për Shqipërinë: Janë bërë...
Prokuroria zhvillon aksion në 15 biznese në Prishtinë për sh...