Kurti për dialogun: Pa u dorëzuar Radoiçiqi e tërhequr letra e Bërnabiqit s’ka takim të nivelit të lartë

21:30 | 18 Maj 2026
E.G

Kryeministri në detyrë i Kosovë, Albin Kurti, ka thënë se s’do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, pa u dorëzuar kryeterroristi Milan Radoiçiq fillimisht. Po ashtu ka thënë se duhet të tërhiqet letra e ish-kryeministres të Serbisë, Ana Bërnabiq.

“Ka pasur informacion ndoshta ajo (Marta Kos) që qëndrimi i Beogradit do të ndryshojë, por Beogradi natyrisht duhet ta dorëzojë Milan Radoiçiqin bashkë me ata 44 kryekriminelët paraushtarakë të tjerë të cilët e vranë rreshterin, heroin tonë, Afrim Bunjakun dhe pastaj vazhduan edhe me sulme të ngjashme siç ishte hedhja e Kanalit Ibër-Lepenc në ajër. E para ndodhi në shtator 2023, e dyta në nëntor 2024. Duhet të dorëzohet Radoiçiqi, duhet të tërhiqet letra e Ana Bërnabiqit që ka qenë kryeministre asokohe ku thotë që nuk respektohet integriteti territorial i Kosovës nga ana e Serbisë. Dy vjet e gjysmë nuk ka ndodhë takim në Bruksel në kuadër të dialogut. Edhe pas 7 qershorit duhet të plotësohen këto kushte si masa të mirëbesimit”, ka thënë Kurti në “Interaktiv” të KTV-së.

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, ka vizituar të premten Kosovën dhe në takimi me përfaqësuesit më të lartë shtetërorë ka marrë mesazhin për trajtim meritor të Kosovës në procesin e eurointegrimit.

Në një konferencë për media, pas takimit me kryeminsitrin në detyrë Albin Kurti, Kos e ka lidhur rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, me suksesin që shteti mund të ketë në dialogun me Serbinë dhe në zbatimin e reformave. Ajo gjithashtu ka bërë thirrje për stabilitet institucional.