Gucati: Është turp i madh që Qeveria ende nuk ka dërguar një letër garancie për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së

14:06 | 13 Maj 2025
E.K

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) organizoi një protestë të martën para një hoteli në Prishtinë, ku ishte paraparë të mbahej një konferencë për media nga kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (Gjykata Speciale), Ekaterina Trendafilova.

Protestuesit hodhën tym të zi dhe kërkuan që Trendafilova të mos lejohet të vizitojë më Kosovën, duke e konsideruar praninë e saj si të dëmshme për vendin. Si pasojë e protestës, konferenca u anulua.

Ish-kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, deklaroi se vizita e Trendafilovës ishte e papërshtatshme dhe se ajo përkoi me 13 majin, ditën e sigurimit shtetëror të Serbisë – një datë që, sipas tij, për shqiptarët përfaqëson një ditë zie dhe dhimbjeje për të pagjeturit dhe viktimat e luftës.

“Reagimi ka qenë që Trendafilova të mos vjen në Kosovë fare, ne e dimë se vizita e saj, sa herë vjen në Kosovë, kjo vjen vetëm për një të keqe, një të zezë të Kosovës dhe ka ardhur sot pikërisht më 13 maj, kur dita sigurimit shtetëror të Serbisë, ku për shqiptarët është një ditë famëkeqe, është një ditë zie. Kemi fëmijë të pagjetur, baballarë, nëna, motra dhe ajo e ka gjetur këtë ditë të vijë këtu. Trendafilova nuk është e mirë për qytetarët e Kosovës dhe për shtetin e Kosovës, ne kemi problem me prokurori nuk kemi problem me gjykatë, e cila punon me dosje të Serbisë dhe me dosje të shqiptarëve të cilët kanë bashkëpunuar me Serbinë”, tha ai./Arbresh.info