“Loja e lënë në gjysmë, shtëpitë e shkrumbuara…” /Muzeu që ruan rrëfimet rrëqethëse të fëmijëve të luftës së fundit në Kosovë

15:00 | 15 Shkurt 2025
R J

Lojërat që iu mbetën në gjysmë, shtëpitë e shkrumbuara nga flakët, zjarre të përhapura gjithandej, streha në malet përreth fshatrave e qyteteve, si dhe mungesa e ushqimit, e shumë kujtime të tjera të rënda, janë grimca të mbledhura në këtë muze.

Ky muze është krijuar enkas për treguar kujtimet e hidhura të atyre fëmijëve që kanë përjetuara  në kohen e luftës.

“Muzeu i Fëmijëve të Luftës”, është një muze që për herë të parë është hapur në Kosovë dhe ngërthen në vetë kujtime janë mbledhur gjatë pesë vjetëve të fundit

Drejtoresha e këtij muzeu, Bjeshkë Guri, për Arbresh.info tregon procesin e themelimit të këtij muzeu, si një përmbledhje e përvojave personale të personave që ishin fëmijëve gjatë luftës së vitit 1998-1999.

“Muzeu ka filluar procesin e themelimit që 5 vjet, për 5 vjet ne kemi shku rreth e qark Kosovës për me mbledhë përvoja personale dhe artefakte prej personave që kanë qenë fëmijë gjatë luftës, jemi inspiru prej Muzeut të Fëmijërisë së Luftës në Sarajevë që është krijua në 2009 edhe tu e pa që i kemi të kaluarat dhe kontekstet e ngjashme, e kemi pa të domosdoshme me e themelu një muze të tillë edhe këtu”, thotë ajo.

Interesimi për ta vizituar këtë muze, sipas saj është i madh, sidomos nga shkollat.

“Ka vizita, sidomos shkollat janë shumë të interesuara pasi që ne kemi dhe programe për të rinjtë edhe të rejat duke u bazuar që sistemi i edukimit dështon me i mësu të rinjtë dhe të rejat, me pas një kuptim më të gjerë se çka ka ndodhë në luftë”, shton ajo.

Në këtë muze, përveç që mësohet historia nga ata që nuk e përjetuan luftën, ndjehet nga afër çdo përjetim e trishtim i “fëmijëve të luftës”.

“Muzeu ndihmon shumë të rinjtë dhe të rejat pasi që për herë të parë kanë mundësi me pa kaq shumë rrëfime në një vend, edhe me e pas atë ndjenjë të intimitetit me këto ngjarje dhe rrëfime. Ky muze është alternativ, është ndryshe prej muzeve tradicional që gjinden, muzeu është vetëm me përvoja personale të personave që kanë qenë fëmijë gjatë luftës, një përvojë ku historia jo vetëm mësohet por dhe ndjehet”, tregon Guri për Arbresh.info.

Ajo thotë se ka qenë sfiduese mbledhja e këtyre rrëfimeve dhe ndarja e historive të tyre, për shkak të hezitimit të personave që kanë përjetuar luftën.

“Sfidat kanë qenë të natyrave të ndryshme, këtu jemi në një hapësirë që jemi detyrua me marr me qira shkaku që nuk kemi mund me gjet një hapësirë publike që ish bë edhe shtëpi e përhershme e muzeut, po të njëjtën kohë gjithashtu ka qenë një lloj hezitimi tu e marr parasysh që shumica e personave e kanë përjetua luftën. Shfaqet dhe një fenomen psikologjik që quhet faji i të mbijetuarit, diskursi publik dhe narrativë dominante nuk le shumë vend për personat që kanë qenë civil gjatë luftës, kështu që kemi has një lloj hezitimi, kështu që është dashtë me diskutua atë hezitim, por ka rezultuar që shumë persona e kanë tregu për herë të parë se qysh e kanë përjetua luftën, flitet por jo aq sa duhet”, shprehet ajo.

Drejtoresha e këtij muzeu, Bjeshkë Guri bën thirrje që të vizitohet ky muze, duke shtuar se lufta nuk i përket vetëm të kaluarës.

Ndryshe, ekspozita përfshin gjësende personale, video-dëshmi dhe eksponate të kuruara që theksojnë përvojat e fëmijëve gjatë luftës së fundit në Kosovë – dedikuar për ruajtjen e kujtimeve të fëmijërisë gjatë luftës në Kosovë.

Lufta e fundit në Kosovë ka lënë rreth 13.500 persona të vrarë, në mesin e tyre mbi 1.000 fëmijë, ndërsa të zhdukur vazhdojnë të mbeten edhe mbi 1.600 persona, përfshirë 109 fëmijë.

Pas 78 ditësh, rreth 2.300 sulmeve ajrore dhe mijëra të vdekurve, ndërhyrja e NATO-s përfundoi. Lufta e Kosovës, e cila kishte filluar një vit e gjysmë më parë, mori fund.

Nëntë vjet më vonë, më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall e pavarur dhe tani njihet nga rreth 119 nga 192 shtetet anëtare të OKB-së, përfshirë edhe SHBA, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën./Arbresh.info/Rita Jakupi/




Të ngjashme