Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka takuar komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, me të cilin diskutoi për situatën e sigurisë në vend.
Ajo falënderoi KFOR-in për angazhimin e vazhdueshëm të kësaj force si reagues i tretë, për të garantuar siguri në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Në veçanti, ajo shprehu mirënjohje për KFOR-in, i cili ka shtuar numrin e trupave të cilat po mbështesin institucionet e Kosovës në patrullim të kufirit me Serbinë, në veçanti pas aktit të agresionit të Serbisë të 24 shtatorit.
Presidentja Osmani në takim me komandantin Ulutaş, ka potencuar rëndësinë e vazhdimësisë së koordinimit në mes të KFOR-it dhe partnerit të saj primar të sigurisë, Policisë së Kosovës, si dhe koordinimit me të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë, në të mirë të stabilitetit e sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht etnisë.
Presidentja po ashtu u informua rreth gjendjes së ushtarëve të forcës shumëkombëshe të lënduar në veri të Kosovës në maj. Ajo potencoi se bandat kriminale serbe të cilat sulmuan NATO-n fatkeqësisht akoma janë të lira dhe se pandëshkueshmëria ndaj atyre që kanë sulmuar KFOR-in në maj, është mesazh i keq dhe është inkurajim për Serbinë që të sulmojë prapë.
Presidentja shprehu besimin e plotë se institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me forcat aleate, do të frenojnë çdo sulm të mundshëm të Serbisë, duke ruajtur kështu paqen e stabilitetin në vend dhe në rajon./Arbresh.info


Kurti premton investime të shumta në Mitrovicë dhe gjithë Ko...
Hotel luksoz, të ftuar VIP dhe kosto prej një milion eurosh ...
Nesër mbahet protestë në përkrahje të studentëve shqiptarë n...
Vdiq në krye të detyrës, polici do të prehet në vendlindje, ...
Zvicra dislokon 4 mijë trupa në kufi me Francën, e cila pret...
Rama merr pjesë nesër në Samitin “BE–Ballkani Perëndimor” në...