Formohet shoqata për hotelieri në Ferizaj

17:11 | 6 Nëntor 2015
M. A.

Subjektet hoteliere të Ferizajt të premten janë bërë bashkë dhe kanë formuar shoqatën e tyre e cila tani tutje do të punojë në mbrojtjen e interesave të tyre si dhe në rritjen e nivelit të bashkëpunimit, i cili do të kontribuoj zhvillimit të këtij sektori me rëndësi të ekonomisë.

Me këtë rast është thënë se komuna e Ferizajt ka resurse të mjaftueshme turistike të cilat me një angazhim më të mirë do t’i sjellin komunës së Ferizajt të mira materiale. Në kuvendin zgjedhor të shoqatës fillimisht u zgjodhën organet drejtuese të saj, kryesinë 11 anëtareshe, e cila më pastaj zgjodhi, Gazmend Rexhepin për kryetar. Ai në fjalën e tij theksoi nevojën e një organizimi më të mirë të këtij sektori i cili do të ndihmoj në ngritjen e kapaciteteve dhe në cilësinë e shërbimeve.”

”Ferizaj ka një traditë hoteliere, këtë më së miri e dëshmon edhe figura e kamerierit për të cilën shpeshherë është thënë se është embleme e Ferizaj. Për këtë, ne sot kemi vendosur që kjo degë e ekonomisë të jetë më e organizuar, të punojmë të bashkuar në ngritjen e cilësisë dhe zhvillimit të turizmit e ku hoteleria ka një rol shumë të madh”, ka thënë Rexhepi.

Edhe kryetari i shoqatës, Samir Reka, ka vë në dukje nevojën e një organizimi më të mirë duke thënë se është momenti i fundit që në këtë sektor të punohet në ngritjen e kapaciteteve hoteliere dhe të cilësisë.

“Është një nevojë që bizneset hoteliere të bashkëpunojnë. Qëllimi i shoqatës është që të bëjë ngritjen e cilësisë dhe kapaciteteve hoteliere dhe turistike në komunë e Ferizajt. Kjo shoqatë do të merret edhe me krijimin e kushteve më të mirë hoteliere dhe turistike, ngritjen e cilësisë së punës,çmimeve dhe kushteve të punës në këto biznese”, ka thënë Reka.

Ndonëse nuk u dhanë shifra të sakta për numrin e bizneseve hoteliere në komunën e Ferizajt, gjatë diskutimit u pa nevoja e transformimit të këtij sektori i cili në komunën e Ferizajt është mjaft i fuqishëm.

Shpërndaje në rrjete sociale