GSJP: Zyrtarët e lartë të shtetit të paprekshëm

19:33 | 3 Nëntor 2015
M. A.

Një raport që ka publikuar sot Grupi për Studime Juridike dhe Politike tregon se zyrtarët e shtetit vazhdojnë të pasurohen me shpejtësi, ndërsa vazhdojnë të mbesin të paprekshëm nga sistemi i drejtësisë.

Madje sipas këtij raporti as prokurorët e gjykatësit nuk po arrijnë të zbatojnë me përpikëri dispozitat për të konfiskuar pasuritë e paligjshme.

Raporti i GSJP-së, me titull “Konfiskimi i pasurisë së paligjshme në Kosovë. Koha për një politikë të re“, tregon po ashtu se nga 16 milion euro pasuri e sekuestruar, vetëm 1 milion janë derdhur në buxhetin e shtetit.

Sipas prokurorit Shqipdon Fazliu ajo që mungon është sistemi i llogaridhënies për t’i mbajtur përgjegjës prokurorët e gjykatësit që nuk po arrijnë të konfiskojnë pasuritë e paligjshme.

Ai përmendi një rast ku prokurorët nuk kanë konfiskuar veturën më të cilën janë bartur rreth 30 kilogramë drogë.

 

“Nuk mundemi që në emër të pavarësisë që veturat që janë zënë në kufi shihen qartë se ato vetura kanë kaluar nga Shqipëria në Kosovë me 15- 20-30 kilogram drogë në emër të kinse pavarësisë të lirohen sepse këtu duhet të hyjë procesi i llogaridhënies , Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe të marrin masa adekuate të cilat duhet të shkojnë madje edhe në shkarkimin e këtyre prokurorëve dhe gjyqtarëve ”, tha Fazliu.

Se duhet të konfiskohet pasuria e paligjshme e thotë edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, sipas të cilit, në institucione korrupsioni po vazhdon në mënyrë sistematike.

 

“Është e domosdoshme që të luftohet korrupsioni dhe të miratohet politika të reja të cilët do të të varfërohen kriminelët duke ua konfiskuar pasurinë e paligjshme. Pa si që kjo është dëshmuar që është praktika më e mirë. E dyta kjo duhet të bëhet tash, pra nëse kjo betejë nuk fillon tash ajo do të vazhdoj të mbaj Kosovën larg integrimeve”, tha ambasadori O’Connell.

Ndërkaq për kryeshefin e Agjencisë për Administrim e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar Rrahim Rama ajo që vazhdon të mbetet problem për Agjencinë që ai drejton është zvarritja e lëndëve në gjykata, duke bërë që kështu t’i humbë vlera pasurisë së konfiskuar.

 

“Ne kemi me qindra automjete që rrinë në parkingje që kemi në depon tonë në Llukar në dalje të Prishtinës dhe natyrisht që ato çdo ditë humbin në vlerë materiale. Llogariteni sikur ato vetura të ishin shitur me kohë, ka vetura që prej 100 mijë euro deri në 1 mijë euro kushtojnë ato v etura . Llogariteni një veturë që ka vlerë 50 mijë euro qëndron 5 vjet në depo ajo humb diku 80 për qind të vlerës së saj. Plus e meta e saj në rast se pala e dëmtuar do ta fiton procesin ajo do ta padit shtetin për të ju kthyer fitimi. Natyrisht ajo palë nuk do të pranoj të marrë një veturë e cila ju ka devalvu. Me ligj e kemi të rregulluar. Nuk e kuptoj pse nuk zbatohet ligji”, tha Rama.

Nga 16 milionë euro sa janë sekuestruar dhe konfiskuar vetëm 1 milionë prej tyre janë derdhur në buxhetin e shtetit

Shpërndaje në rrjete sociale