Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka pritur sot në takim anëtarët e Grupit punues për qasje në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, zëvendëskryeprokuroren e Shtetit, Sevdije Morina, zëvendësministrin e Drejtësisë, Lirak Çelaj dhe përfaqësuesen e EULEX-it, kryeprokuroren Jaroslava Novotna.
Siç bëhet e ditur në një njoftim të Presidencës, Jahjaga i përgëzoi përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë për finalizimin e planit të veprimit për qasjen në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, duke e cilësuar atë si një nismë të rëndësishme të institucioneve të vendit për ofrimin e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.
“Presidentja Jahjaga tha se qasja në drejtësi është një ndër prioritetet kryesore të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, me qëllim të rehabilitimit të këtyre viktimave dhe theksoi nevojën e ofrimit të mekanizmave ligjorë institucionalë në përputhje me specifikat e këtij krimi të luftës”, thuhet në njoftim.
Më tej shtohet se zëvendësministri i Drejtësisë, Lirak Çelaj tha se për implementimin e këtij plani duhet të bëhen reformat e nevojshme në institucionet e drejtësisë, me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve të akterëve relevantë, si dhe ofrimin e mbështetjes për të garantuar fuqizimin e viktimave të dhunës seksuale dhe ngritjen e vetëdijes shoqërore për këtë krim lufte.
Ndërkaq, po sipas njoftimit, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci njoftoi Presidenten Jahjaga me vendimin e këtij institucioni për përzgjedhjen e tre gjyqtarëve nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nga një gjyqtar në gjykatat rajonale themelore të Kosovës, për të marrë përgatitjen e nevojshme profesionale për trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me dhunën seksuale gjatë luftës si dhe me dhunën në familje.
“Përkushtimin e tyre për t’iu mundësuar qasje në drejtësi viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës e shprehën edhe zëvendëskryeprokurorja e shtetit, zonja Sevdije Morina, si dhe përfaqësuesja e EULEX-it, zonja Jaroslava Novotna”, shtohet më tej në njoftim.
Grupi punues për qasje në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës është formuar me kërkesë të Presidentes Jahjaga, si pjesë e angazhimeve në kuadër të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës.
Përfshihet nga flakët një automjet në Kaninë, dyshohet për s...
Riquelme synon ta sjellë Kloppin te Real Madridi
Krizë humanitare në Liban, OKB ngre alarmin për 1.4 milionë ...
Çeku dhe Bogujevci presin finalistët e Olimpiadës Kosovë–Shq...
Gjiganti ukrainas ofron afro 1 milion euro për kartonin e Lu...
Në kërkim ndërkombëtar për narkotikë, ekstradohen në Tiranë ...