Këto kundërmasa do të jenë si kundërpërgjigje ndaj taksës prej 100 për qind që qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj produkteve me origjinë serbe dhe boshnjake qysh në muajin nëntor të vitit të kaluar, shkruan lajmi.net.
Siç raportojnë mediet serbe, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kundërmasat ndaj Kosovës do të merren pas festës së Vidovdanit.
I pyetur nëse është hequr dorë nga vendosja e paralajmëruar e kundërmasave ndaj Kosovës, Vuçiq tha se lidhur me këtë çështje do të bisedojë me serbët nga Kosova dhe se vetëm pas ditës së Vidovdanit, kur serbët kremtojnë betejën e humbur të Kosovës, do të dihet se në cilën mënyrë do të ndërmerren masat.
Siç tha ai, çështja e kundërmasave është serioze dhe se nuk bëhet fjalë për kërcënime të përditshme.
“Do të doja që mos ta bëjmë këtë, por nëse jemi të detyruar dhe nëse nuk ka progres, do të flasim me edhe me partnerët ndërkombëtarë dhe do të duhet ta bëjmë atë”, citohet të ketë thënë Vuçiq, transmeton lajmi.net.
Ai përsëriti se situata është e komplikuar dhe e vështirë për Serbinë.
“Kur të flasim përsëri me përfaqësuesit e popullit tonë, menjëherë pas Vidovdanit, do të shohim se si do të veprojmë dhe çfarë masa do të marrim”, theksoi Vuçiq.
Kujtojmë se për shkak të vendosjes së taksës në nëntor të vitit të kaluar nga Qeveria e Kosovës, pala serbe ka bllokuar dialogun dhe për vazhdimin e tij, kërkon heqjen e taksës.
Në anën tjetër, është Qeveria e Kosovës që po këmbëngul në mbajtjen e taksës dhe se kryeministri Ramush Haradinaj, po kërkon që dialogu me Serbinë të vazhdojë pa kushte dhe përmes një marrëveshjeje e cila garanton njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.
