Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka kujtuar 54 vjetorin e vdekjes së Fan Nolit.
Kurti në Facebook ka shkruar se Noli ishte rilindasi i fundit, ndërsa sipas tij, shumë njerëz të politikës shqiptare nuk e kanë kuptuar atë, e duke e nxjerrë nga konteksti.
Kurti e quan Nolin demokrat të pakompromis, që e dashuronte thellësisht popullin e vet.
Postimi i plotë i Kurtit kushtuar Nolit:
Në përvjetorin e shuarjes së rilindasit të mbramë
Për vdekjen e Naimit vajtoi me vargje Çajupi, e për vdekjen e Gurakuqit, Noli. Por kur ky i fundit vdiq, 54 vite më parë, nuk pati më rilindas të shkruanin. Noli ishte i fundit nga Rilindja Kombëtare.
Kam takuar shumë njerëz të politikës shqiptare që e citojnë Nolin si frymëzim. Por, çuditërisht, demokratin e madh, i cili dashuronte thellësisht popullin e vet pa e idealizuar atë, e marrin si ndonjë elitist përbuzës të masave, për shkak të ndonjë leximi të kufizuar e të nxjerrë nga konteksti.
Politika e Nolit ishte demokratike pa kompromis. Ai, në vitet e ’20-a, kundërshtonte çarmatosjen e shqiptarëve të thjeshtë, reformë që bëhej në emër të rendit në fuqi, sepse e dinte se rendi i një shteti të padrejtë është diktat. Retorika pseudo-modernizuese iu vu në shërbim politikës së çarmatosjes, duke ia shtruar përfundimisht rrugën diktatit si dhe uljes së fuqisë mbrojtëse ndaj agresorëve të huaj e disa pushtimeve me radhë. Shpesh, edhe sot, shohim të zbatohen politika të tilla te shqiptarët, çarmatosëse për njerëzit e thjeshtë, ndërkohë që dhunën e zotërojnë si monopol disa neofeudalë.
Aq demokratike ishte politika e Nolit, sa që ai nuk pranoi të luftonte për të ruajtur pushtetin e tij, për të mos e çuar vendin në luftë civile. Dhe, meqenëse mbeti i pakorruptuar gjithë jetën, ai nuk mund të falte ata që ndërronin faqe e i dilnin në krah diktatit, sado miq që t’i kishte. Miku nuk mund të dalë mbi principin dhe anash idealit, përndryshe është korrupsion.
E meqë po flasim për korrupsionin, Noli udhëhoqi me sukses delegacionin për anëtarësimin e Shqipërisë në Ligën e Kombeve. Me dijen, ndershmërinë, sinqeritetin e këmbënguljen e tij ai fitoi mbështetjen e shumë diplomatëve e udhëheqësve të fuqishëm ndërkombëtarë. E sot, korrupsioni, injoranca dhe veset e diplomatëve tanë janë pengesa kryesor për përparimin e njohjeve të Kosovës, dhe integrimit të vendeve shqiptare në strukturat evropiane.
Noli shkruante e përkthente pa u ndalur, në një kohë kur njerëzit e kulturës shpesh vetëkufizoheshin nga skepticizmi për ambientin jo fort mikpritës për kulturën në shoqërinë shqiptare. Por Noli nuk kishte kohë për vetëkufizime, kontributi i tij kulturor ishte për të ndërtuar një realitet që s’ekzistonte, jo për t’u dorëzuar përballë atij ekzistues.
Ai ishte i vetëdijshëm se jetën e tij duhet t’ia blatonte një misioni që nuk do të realizohej gjatë jetës së tij, andaj e krahasonte veten me Moisiun që udhëhoqi popullin e vet për 40 vite në shkretëtirë, drejt lirisë, dhe vdiq vetëm pasi e pa nga larg atdheun, por pa mbërritur kurrë atje. Fan S. Noli, me kontributin e tij kombëtar, prej kulturës, shkrimeve, studimeve e përkthimeve deri te themelimi i politikës demokratike shqiptare, prej ngritjes së shqipes në nivelin e një gjuhe kishtare e deri te themelimi i Kishës Ortodokse Shqiptare, prej udhëheqjes së suksesshme të procesit të anëtarësimit në Ligën e Kombeve e deri te nacionalizmi i tij progresiv duke mos urryer asnjë fqinj e komb, mori një staturë prej Moisiu në historinë tonë. Ai e pa nga larg atdheun e bukur, para se të vdiste. Ne ende nuk kemi shkuar atje, veçse pikërisht me mësimet e Nolit nuk ngelemi duke u endur nëpër shkretëtirë.
KDI: Dëgjimi publik për Projektligjin për Byronë nga sot për...
Tërnava takohet me Kryetarin e Dijanetit të Turqisë, flasin ...
Prokuroria malazeze jep detaje rreth vrasjes së trefishtë ...
Kosova shpall organizatë terroriste Gardën Revolucionare të ...
Haxhiu ndan detaje nga takimi me Whitaker
Fjalët që Leonardi do t’ia thoshte Liridonës: “Motër, amanet...