Molliqaj: Sa më i madh numri i votuesve, aq më e madhe demokracia

14:01 | 7 Qershor 2026
E.G

Kandidati për kryeministër nga Partia Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, së bashku me bashkëshorten e tij, Besa Shahinin, ka votuar në shkollën “Iliria” në Prishtinë.

Pas votimit, Molliqaj ka falënderuar mediat dhe ka vlerësuar pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin zgjedhor, duke theksuar rëndësinë e daljes sa më të madhe në votime.

“Faleminderit të gjithë mediave që na keni përcjellë sot, dhe jo vetëm sot. Ajo që po shohim sot në mesditë, fluksi i qytetarëve që po votojnë, po tregon pjesëmarrje relativisht të kënaqshme. Sa më i madh numri i qytetarëve në kutitë e votimit, aq më e madhe garancia për demokraci”, deklaroi Molliqaj.

Ai shtoi se pjesëmarrja e lartë në zgjedhje është thelbësore për demokracinë dhe zhvillimin e vendit, duke ftuar qytetarët që ende nuk kanë votuar të dalin në vendvotime deri në mbylljen e procesit.

“Ftesa jonë është e qartë: secili që ka mundësi dhe vullnet të dalë të votojë, sepse kjo është një garanci e mirë për një mundësi të mirë dhe për zgjedhje të mira”, u shpreh ai.