Gjermania është përgatitur që të ashpërsojë kushtet e ndihmës për vendet në zhvillim, në përpjekje për të luftuar korrupsionin, për të garantuar të drejtat e njeriut dhe për të nxitur krijimin e strukturave demokratike.
Në një dokument të ri strategjik të publikuar në prag të takimit të G20-ës me Afrikën javën që vjen në Berlin, Ministria gjermane e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit përvijoi plane për të reduktuar numrin e shteteve partnere dhe për të kontrolluar më mirë se si shpenzohen paratë e ndihmave.
Të ashtuquajturat “partneritete për reforma”, që Gjermania ka tashmë me me Ganën dhe Tunizinë do të kërkojnë që vendet e synuara të rritin gjithashtu kontributet vetjake për zhvillimin.
Sipas dokumentit strategjik të quajtur “Entwicklungspolitik 2030” (“ndihma për zhvillimin 2030”), “një element i rëndësishëm i së gjithës është krijimi i financave kombëtare dhe i administratave të taksave, i zyrave të llogarive dhe i institucioneve për të luftuar korrupsionin”.
Në prezantimin e dokumentit këtë javë, ministri gjerman i Zhvillimit, Dirk Müller tha se qeveria gjermane do të nisë gjithashtu një program të ri monitorimi, duke kontrolluar marrëveshjet e bashkëpunimit të Gjermanisë me 85 shtete, të cilave aktualisht u jep para.
Bizneset duhet të japin kontributin e tyre
Gjermania dërgon rreth 4,4 miliardë euro ndihmë për vendet në zhvillim në botë çdo vit, shumica e së cilës shpenzohet në Afrikë. Administrata e Angela Merkelit e ka bërë moto të saj “luftimin e shkaqeve të migrimit” duke ndihmuar ekonomitë e Afrikës. Kjo do të jetë njëra nga temat edhe javën e ardhshme në konferencën për Afrikën në Berlin.
Kancelarja ka thënë se është e vendosur që ta bëjë pikërëndesë në presidencën aktuale të Gjermanisë të G20-ës inkurajimin e investimeve private në Afrikë.
Këtë javë, ministri Müller e përsëriti këtë mesazh, duke kërkuar që bizneset gjermane të bëjnë më shumë për t’u angazhuar. “Afrika është kontinent i rritjes i së ardhmes”, tha ai në një intervistë me të përjavshmen gjermane Die Zeit. “Në dhjetë vitet e ardhshme në Afrikë dhe në Evropë do të ndërtohet aq sa në njëqind vitet e fundit. Për inxhinjerët gjermanë, ndërtimin dhe kompanitë e energjisë kjo do të krijojë shanse të mëdha”.
Politikanë të opozitës nuk u bindën nga deklarata për ndryshimin e paradigmës në ndihmën gjermane për zhvillimin. Zëdhënësi për zhvillimin i partisë së të Gjelbërve i vlerësoi të gjitha synimet që shprehu ministri Müller, por i quajti fjalë të bukura dhe nuk beson që do të zbatohen. Një nga instrumentat më efektivë për të forcuar qeverisjen e mirë, tha ai, nuk do të ishte reduktimi i ndihmës, por financimi direkt i buxheteve shtetërore./tch/
Zvicra dislokon 4 mijë trupa në kufi me Francën, e cila pret...
Rama merr pjesë nesër në Samitin “BE–Ballkani Perëndimor” në...
Kusari Lila tregon prapaskenat para recitimit të poezisë nga...
Selimi dhe Konjufca takojnë qytetarët në Klinë, flasin për q...
Sveçla: Përmirësimi i kushteve të punës për zyrtarët policor...
LVV: Mitrovica ia qet pikën 116