Rënia e Bitcoin (BTC) në fillim të shtatorit sjell një kujtesë jo të këndshme për tregtarët: historikisht, ky muaj nuk ka qenë në favorin e tyre.0
Sipas të dhënave të CoinDesk, BTC ka shënuar humbje në 9 nga 14 shtatorët e fundit, me një rënie mesatare prej rreth 12 për qind.
Ky trend negativ duket se po përsëritet edhe në vitin 2025. Bitcoin e nisi javën pranë nivelit prej 110 mijë dollarësh – më i ulëti në gati dy muaj – ndërsa kapitalizimi total i tregut të kriptovalutave ra në 3.74 trilionë dollarë, niveli më i ulët në tre javët e fundit.
Gjatë 24 orëve të fundit, çmimi i BTC mbeti i pandryshuar. Ndërkohë, disa altcoin shënuan rritje modeste: Solana (SOL) u rrit me 4 për qind, XRP me 1 për qind, dhe Cardano (ADA) me 1.5 për qind.
Tregtarët janë të shqetësuar për kombinimin e pasigurisë makroekonomike, ndjesisë së brishtë në treg dhe vëllimeve të ulëta të tregtimit – faktorë që e bëjnë shtatorin edhe më sfidues. Analisti i FxPro, Alex Kuptsikevich, thekson se treguesit teknikë sugjerojnë një trend negativ, me grafikun e kapitalizimit që tregon ulje të vazhdueshme. Ai paralajmëron se nëse BTC nuk arrin të mbajë nivelin e 112 mijë dollarëve, mund të bjerë drejt zonës së mbështetjes 105 mijë dollarëve, përpara kufirit psikologjik prej 100 mijë dollarëve.
Indeksi i frikës për kriptovalutat ka rënë në 40 – më i ulëti që nga prilli – një shenjë që tregu është nën presion dhe paniku mund të jetë afër, raporton coindesk.
E kaluara gjithashtu nuk ofron shumë shpresë. Në vitin 2017, BTC ra me 8 për qind në shtator; në 2019, humbi pothuajse 14 për qind; dhe në 2021 e 2022 pati gjithashtu rënie të ndjeshme. Këto rënie shpesh lidhen me shterimin e likuiditetit dhe ndryshimet makroekonomike pas verës.
Këtë vit, presioni reflektohet edhe në flukset e ETF-ve. Pas një periudhe akumulimi gjatë gushtit, javën e kaluar ETF-të spot të bitcoin në SHBA panë dalje neto prej 440 milionë dollarësh. Ndërkohë, ETF-të e eterit shënuan mbi 1 miliard dollarë në hyrje – një pikë e ndritshme që sugjeron më shumë riorientim të kapitalit sesa rritje të përgjithshme.
Sipas CryptoQuant, ETF-të spot zotërojnë tashmë mbi 1.3 milionë BTC – afërsisht 6 për qind e furnizimit total – duke u renditur për nga pesha në treg përkrah bursave më të mëdha.
Në horizontin makro, investitorët presin të dhënat për pagat jo-bujqësore në SHBA, të cilat pritet të tregojnë një ngadalësim në krijimin e vendeve të punës. Një raport më i dobët mund të nxisë pritjet për ulje të normave të interesit nga Fed në shtator – një zhvillim që potencialisht mund të rigjallërojë optimizmin në treg.
Megjithatë, deri atëherë, tregtarët po mbrohen nga rreziku. Të dhënat e tregut të opsioneve tregojnë një rritje të ndjeshme të kërkesës për opsione “put”, një sinjal i qartë se investitorët janë të pozicionuar për skenarë rënës. Kuptsikevich thekson nevojën për kujdes të shtuar, veçanërisht për tregtarët afatshkurtër. /Telegrafi/
Njëri nga tre viktimat që vdiqën në vendin e punës në Vjenë ...
Parashikimi i motit për sot
Pas arrestimit për armëmbajtje, Gimbo tregon gjendjen emocio...
Trumpi paralajmëron tërheqjen nga lufta në Iran
Hoxha bisedon me homologun kroat për sigurinë energjetike pë...
PFL bën historinë në Spanjë, ndërsa Londra pritet të ndizet ...