Me karrierën si futbollist pas vetes, Taulant Xhaka nuk është larguar nga fusha – përkundrazi, ai po shkruan një kapitull të ri si trajner i FC Dardania, dhe deri tani gjithçka po shkon për mrekulli, nis reportazhin gazeta e njohur zvicerane 20 minuten.
Ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare dhe legjenda e Baselit, Taulant Xhaka, vendosi të mos qëndrojë larg futbollit pas tërheqjes nga karriera aktive këtë verë. 34-vjeçari mori drejtimin e klubit FC Dardania, një skuadër nga liga e katërt zvicerane, dhe menjëherë ka lënë gjurmë: 8 fitore në 8 ndeshje, me një goldallim të frikshëm, prej 42:8.
Si lindi bashkëpunimi me Dardaninë?
Presidenti i klubit, Tahir Çitaku, pas një sezoni të dështuar ku FC Dardania nuk arriti ngjitjen në ligë më të lartë, në kërkim të një trajneri të ri, e kontaktoi Ragip Xhakën – babain e Taulantit dhe Granitit – i cili ndodhej në Kosovë, por u kthye menjëherë në Zvicër për të vizituar klubin, bashkë me djalin dhe familjen e tij.
Pas një bisede pesëminutëshe, Taulanti dha fjalën e tij me një premtim të thjeshtë, por domethënës: “Besa”. Një fjalë që mban peshë të madhe në kulturën shqiptare. Disa javë më pas, ai e konfirmoi vendimin: do të bëhej trajneri i ri i FC Dardania.
Trajner i qetë, por me ide të qarta
Pavarësisht reputacionit që kishte si lojtar impulsiv në fushë, Xhaka si trajner ka një qasje më të qetë: “Jam i qetë. Në dhomat e zhveshjes mund të ngre zërin ndonjëherë, por nuk mendoj që një trajner duhet të bërtasë gjithmonë. Duhet të dish si t’i qasesh lojtarëve, sidomos kur janë amatorë.”
Në bankën e Dardanisë, ai duket i lumtur. Komunikon me stafin e vogël që ka në dispozicion, flet me buzëqeshje dhe shijon çdo moment. “Jam shumë i kënaqur me atë që kemi arritur. Ekipi ka përparuar dukshëm që kur e mora drejtimin. Jam i lumtur,” – deklaron ai.
Objektivat: Një ligë më lart – pse jo edhe më shumë?
Në ambientet e klubit është krijuar një atmosferë pozitive. Objektivi i radhës është ngjitja në “2. Liga Interregional”, por brenda klubit fillon të përmendet edhe ëndrra për të arritur një ditë deri në ligën e parë. Me një trajner të përkushtuar si Xhaka dhe një ekip që fiton çdo ndeshje, entuziazmi është i kuptueshëm.
Një jetë e re pas futbollit profesionist
Jeta pas karrierës profesioniste duket se i përshtatet shumë mirë Taulant Xhakës. “Po e shijoj shumë kohën me familjen dhe miqtë. Pas ndeshjeve ndonjë birrë, ndonjë darkë e qetë – gjëra që si profesionist nuk mund t’i bëja lirisht. Tani është ndryshe, është bukur.”
Sa për vizitën te vëllai i tij Graniti, i cili luan për Sunderlandin në Angli, Taulanti thotë se nuk ka qenë ende, por “shumë shpejt” do ta vizitojë. Për momentin, ai duket plotësisht i përqendruar te FC Dardania dhe te misioni i tij i ri – të ndërtojë një skuadër fituese dhe të formojë lojtarë të rinj, me pasion dhe përkushtim.
Blerta Deliu kërkon rinumërim të plotë të votave
“Nuk ndiej më detyrim të mendoj vetëm për paqen”, Trump jep ...
KFOR-i stërvitet për beteja të afërme
Hamza: Rinumërimi i plotë i votave në të gjithë Kosovën ësht...
Shqipëria pjesë e Bordit të Paqes, Spiropali: Ftesa e SHBA-s...
Rinumërohen 61% e votave, në 20 komuna u përmbyll procesi