UEFA realizon dokumentar për suksesin historik të Dritës në Evropë

07:29 | 8 Dhjetor 2025
E.G

UEFA ka mbërritur në Kosovë për të xhiruar një dokumentar të dedikuar suksesit historik të Dritës, klubit që po shkruan një kapitull të ri në futbollin kosovar me paraqitjet e tij në Ligën e Konferencës.

Për herë të parë, një ekip evropian i produksionit të UEFA-s ndalet në Gjilan për të rrëfyer nga afër historinë, kulturën dhe frymën e klubit bardhekaltër.

Dokumentari përfshin intervista ekskluzive me trajnerin Zekrija Ramadani, arkitektin e këtij suksesi, i cili shpjegon filozofinë e tij, punën e palodhur dhe transformimin e skuadrës. Krahas tij, lojtarët kryesorë të ekipit – Faton Maloku, Arbër Manaj dhe Rron Broja – rrëfejnë nga këndvështrimi i tyre se çfarë do të thotë ky sezon për Dritën dhe për futbollin kosovar.

Mes historive të shumta emocionuese, më prekësja mbetet ajo e Arbër Manajt, i cili flet për mungesën e babait të tij të rënë gjatë luftës së Kosovës. Në dokumentar, ai shfaqet pranë nënës së tij, duke rikthyer kujtime të dhimbshme por edhe të fuqishme, që tregojnë prej nga buron forca e tij dhe motivimi për të shkuar sa më larg si futbollist dhe si njeri.

UEFA ka intervistuar gjithashtu edhe tifozin e zjarrtë Adhurim Jakupi, simbol i pasionit të tribunës gjilanase, si dhe legjendën e klubit, trajnerin e portierëve Afrim Shahini, njeri që është identifikuar me Dritën për dekada të tëra.

Dokumentari pritet të sjellë një përzierje të fuqishme emocionesh, historie, krenarie dhe profesionalizmi – një tregim i sinqertë për atë si një klub nga Kosova po i tregon Evropës se zemra, karakteri dhe ambicia shpesh vlejnë po aq sa buxheti dhe infrastruktura.

Ky projekt i UEFA-s nuk është thjesht një vlerësim për Dritën, por një hap i madh për futbollin kosovar, që tashmë po merr vendin e merituar në skenën ndërkombëtare. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale