Emisari francez: Për Francën është thelbësore që të gjitha vendet e BP ta kenë perspektivën për të hyrë në BE

19:39 | 25 Prill 2026
R J

Emisari francez për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz, është deklaruar rreth detyrës së tij, ku ka theksuar se kjo pozitë, të cilën ai e ka pak më shumë se dy vite, është krijuar me kërkesë të shtetit të Francës, ‘’për të promovuar pozicionin francez në rajonin e Ballkanit dhe për të mbështetur zgjerimin e Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor”.

Troccaz, në deklarimin e tij, ka thënë se sfida kryesore për Francën, si dhe, për Evropën, në rajonin e Ballkanit është ”stabiliteti’’, dhe se, ky i fundit, arrihet për zgjerimit të BE’së në BP.

‘’Sfida kryesore për Francën dhe për Evropën në rajonin e Ballkanit është stabiliteti. Stabiliteti arrihet përmes zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Ky është një proces që ne e zhvillojmë së bashku me partnerët tanë evropianë, me fqinjët dhe miqtë tanë nga vendet e Ballkanit. Kjo është thelbi i punës sonë në këtë rajon’’, ka thënë ai.

Emisari francez, po ashtu, ka deklaruar se, disa shtete nga rajoni i Ballkanit janë me të avancuara, ndërsa disa më pak, porse, thekson ai, ‘’thelbësore’’ është që të gjithë të kenë perspektivë që t’i bashkohen BE’së.

‘’Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë marrë një perspektivë evropiane që prej 23 vitesh, që nga viti 2003. Gjërat po përparojnë: disa vende janë më të avancuara, si Mali i Zi dhe Shqipëria, ndërsa të tjera janë më pak të avancuara, por ne i mbështesim të gjitha. Thelbësore është që të gjitha vendet e Ballkanit të kenë perspektivën për t’u bashkuar një ditë me Bashkimin Evropian’’, ka deklaruar ai.

Në fund, Troccas, ka thënë edhe se, Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për Francën.

‘’Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për Francën, ashtu siç është i rëndësishëm edhe për Austrinë, e cila është fqinje me këto vende. Për këtë arsye, të dy vendet tona, Austria dhe Franca, bashkëpunojnë rregullisht – dhe ndoshta gjithnjë e më shumë – për Ballkanin Perëndimor. Ka çështjen e stabilitetit, të fqinjësisë dhe perspektivës evropiane që na motivon si në Paris ashtu edhe në Vjenë’’, ka përfunduar ai.