Trepça ka vazhduar dominimin në basketbollin kosovar, pasi të mërkurën mbrëma e ka fituar titullin kampion në elitën e basketbollit të Kosovës.
Mitrovicasit kanë triumfuar ndaj Bashkimi me rezultat 98:78 në finalen e katërt të “play off”, të zhvilluar në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
Për Trepçën ky është titulli i shtatë në histori të klubit dhe i treti radhazi. Me këtë sukses, skuadra mitrovicase bëhet klubi i dytë më i trofeshëm në Kosovë, duke kaluar Pejën që ka gjashtë tituj kampioni. Klubi më i suksesshëm mbetet Sigal Prishtina me katërmbëdhjetë tituj.
Trepça e ka fituar serinë finale me rezultat të përgjithshëm 4:0. Dy ndeshjet e para në palestrën “Minatori” në Mitrovicë i ka fituar 84:79 dhe 93:83, ndërsa edhe ndeshjen e tretë në Prizren e kishte fituar me rezultat 84:80.
Në sfidën vendimtare, Bashkimi e ka nisur më mirë takimin dhe ka krijuar epërsi të shpejtë 9:0 dhe 11:2. Megjithatë, skuadra e drejtuar nga trajneri Adis Beciragic ka reaguar shpejt dhe e ka barazuar rezultatin në 13:13.
Më pas, Trepça e ka marrë kontrollin e ndeshjes dhe nuk e ka lëshuar më epërsinë deri në fund. Çerekun e parë e ka mbyllur 30:22, ndërsa në pushim ka shkuar me rezultat 52:40. Diferenca është thelluar edhe më shumë në pjesën e dytë, ndërsa pas çerekut të tretë rezultati ka qenë 77:63.
Te Trepça janë dalluar disa basketbollistë. Akili Vining ka realizuar trembëdhjetë pikë, ndërsa nga dymbëdhjetë pikë kanë shënuar Drilon Hajrizi dhe Ja’Cori Payne. Me nga dhjetë pikë ndeshjen e kanë përfunduar Mustapha Amzil dhe Kenneth Hasbrouck.
Ndërkohë, më efikasi te Bashkimi ka qenë Ike Nwamu me tetëmbëdhjetë pikë, katër kërcime dhe tri asistime.
Trepça e kishte eliminuar më herët Pejën në gjysmëfinale, ndërsa Bashkimi kishte kaluar Borën.
Pak muaj më parë, Trepça kishte triumfuar po ashtu ndaj Bashkimit edhe në finalen e Kupës së Kosovës, duke e fituar atë trofe për herën e pestë radhazi dhe të nëntën në histori të klubit.
Filmi “Dua” fiton “SACD Award” në Cannes Film Fe...
Haxhiu uron KB Trepçën për titullin kampion: Mitrovica festo...
Konjufca: Shqiptarët e Malit të Zi pjesë e pandashme e kombi...
Trepça feston titullin e shtatë kampion në Prizren
Maqedonci: Situata e sigurisë në Kosovë më e qetë, FSK-ja dh...
Ishte duke kaluar rrugën, vdes 65-vjeçarja në Librazhd pasi ...