Filmi “Dua” fiton “SACD Award” në Cannes Film Festival, Kurti: Një tjetër sukses historik për kinematografinë tonë

00:01 | 21 Maj 2026
E.G

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vlerësuar suksesin e filmit “Dua” të regjisores Blerta Basholli, i cili fitoi çmimin prestigjioz “SACD Award” në garën “Semaine de la Critique” në Cannes Film Festival.

Përmes një postimi, Kurti e cilësoi këtë arritje si “një tjetër sukses historik për kinematografinë tonë”.

“Filmi “Dua” i regjisores Blerta Basholli sapo fitoi çmimin prestigjioz “SACD Award” në garën “Semaine de la Critique” në Cannes Film Festival, një nga platformat më të rëndësishme në botë për zërat e rinj të kinemasë”, ka shkruar ai.

Kurti uroi gjithashtu autoren Nicole Borgeat dhe ekipin e filmit për suksesin e arritur në festivalin prestigjioz ndërkombëtar.

“Urime fitueseve, autoreve Blerta Basholli dhe Nicole Borgeat. Urime gjithë ekipit të filmit!”, thuhet në postim.

Ai theksoi se filmi “Dua” sjell një histori të fuqishme nga Prishtina e viteve ’90 dhe dëshmon potencialin e tregimeve kosovare në arenën ndërkombëtare.

““Dua” sjell një histori të ndjeshme dhe të fuqishme nga Prishtina e viteve ’90, duke dëshmuar edhe një herë forcën e tregimeve tona në skenën ndërkombëtare”, ka deklaruar Kurti.

Në fund, ai shtoi se ky çmim vlerëson autorët me vizion origjinal dhe skenar të jashtëzakonshëm, derisa theksoi se emri i Blerta Bashollit po vazhdon të shkruajë historinë e filmit kosovar.

Shpërndaje në rrjete sociale