Ish-portieri i Kosovës, Samir Ujkani, ka dhënë një intervistë të gjatë për mediumin sllovak Sportnet, ku ka folur për rrugëtimin e Kombëtares, rëndësinë e ndeshjes ndaj Sllovakisë dhe sfidat që e presin ekipin tonë në “play-off”-in për Kupën e Botës.
Ujkani, i cili ishte portier në ndeshjen e parë zyrtare të Kosovës, e kujton atë moment si një nga më të veçantët në jetën e tij.
“E dëgjova zemrën time. Ishte një ëndërr e realizuar”, u shpreh ai, duke treguar se nuk hezitoi asnjë moment kur mori ftesën për të përfaqësuar Kosovën.
I lindur në Vushtrri dhe i rritur në Belgjikë, Ujkani ndërtoi karrierë në Itali, duke luajtur për skuadra si Palermo, Novara, Latina, Pisa dhe Cremonese. Fillimisht ai kishte përfaqësuar Shqipërinë, por pas krijimit të përfaqësueses së Kosovës vendosi të luajë për vendlindjen.
Ai ka zhvilluar 36 ndeshje me fanellën e Kosovës, përfshirë edhe miqësoren e parë historike në vitin 2014 ndaj Haitit, e cila përfundoi 0:0.
Sot, në rolin e drejtorit sportiv, Ujkani po e ndjek nga afër rrugëtimin e Kosovës drejt një tjetër momenti historik.
Sipas tij, kualifikimi në “play-off” për Kupën e Botës është arritja më e madhe në historinë e futbollit kosovar.
“Në vitin 2014 nisëm të luajmë ndeshje miqësore zyrtare, ndërsa në 2016 u pranuam në FIFA. Ende pa i bërë 10 vite, po flasim për kualifikim në Botëror. Për ne është diçka shumë e madhe”, deklaroi ai.
Duke folur për presionin ndaj lojtarëve, Ujkani theksoi se kjo mund të mos jetë sfida më e madhe.
“Shpresoj që kjo të mos jetë ndeshja më e madhe, sepse nëse fitojmë në Sllovaki, finalja e ‘play-off’-it në Prishtinë do të ishte edhe më e madhe. Lojtarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e saj”, u shpreh ai.
Ai shtoi se Kosova është në një fazë të rritjes së madhe dhe po shndërrohet në një ekip shumë konkurrues.
Ujkani zbuloi edhe rolin e tij si drejtor sportiv dhe punën që bëhet me futbollistët nga diaspora.
“Jemi një vend me shumë talente, si brenda ashtu edhe jashtë. Në të kaluarën u luteshim lojtarëve të luanin për ne, ndërsa tani ata vendosin vetë për Kosovën”, tha ai.
“Ne u themi gjithmonë: vendosni me zemër. Kjo është gjëja më e rëndësishme, sepse vetëm kështu jepni maksimumin në fushë.”
Ai pranoi se zgjedhja nuk është e lehtë për lojtarët që janë rritur në vende si Gjermania apo Zvicra, por theksoi se lidhja me Kosovën mbetet e fortë.
Ujkani foli edhe për trajnerin e Kosovës, Franco Foda, duke e cilësuar si një përforcim të madh për ekipin.
“E kemi zgjedhur për shkak të përvojës dhe suksesit që kishte me Austrinë. Është trajner dhe njeri shumë i mirë. Ka bërë progres të madh me ekipin dhe për këtë arsye ia kemi vazhduar kontratën”, deklaroi ai.
Ai shtoi se Foda refuzoi oferta më të mëdha financiare për të qëndruar te Kosova.
“Në Arabinë Saudite do të fitonte më shumë, por ai vendosi me zemër. Ne e vlerësojmë shumë këtë.”
Sa i përket pagës së trajnerit, Ujkani theksoi se çdo cent është i merituar.
“Është një investim i madh për ne, por ai e meriton. Kur e morëm, e dinim që me një trajner të madh mund të arrijmë gjëra të mëdha. Dhe tani po i shohim rezultatet”, u shpreh ai.
Duke folur për mundësinë e provokimeve në Sllovaki, Ujkani bëri thirrje për respekt.
“Lojtarët duhet të fokusohen vetëm në fushë. Racizmi nuk ka vend në sport dhe as në jetë. Të gjithë mund të bëjnë tifo, por me respekt”, tha ai.
Ai kujtoi edhe ndeshjen ndaj Rumanisë, ku lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha për shkak të situatës.
“Nuk duam që kjo të ndodhë përsëri. Është e dëmshme për futbollin dhe për të rinjtë.”
Nëse Kosova arrin finalen e “play-off”-it, interesimi do të ishte i jashtëzakonshëm.
“Nuk do të mjaftonte as një stadium me një milion vende, edhe pse jemi një vend me 1.8 milion banorë”, tha ai.
Në fund, Ujkani dha edhe vlerësimin për kundërshtarin.
“Sllovakia është një ekip shumë cilësor, por në këtë fazë të garës vendosin detajet. Ne besojmë se mund të bëjmë histori.”
Në rast të fitores me Sllovakinë, Kosova e pret fituesin e Turqisë apo Rumanisë të martën mbrëma për një vend në Kampionat Botëror./Arbresh.info
Haxhiu bëri homazhe në memorialin e martirëve në fshatin Tër...
KEDS reagon pas akuzave se njëhsorët e rrymës bëjnë matje të...
Zhbllokohet për kamionë rruga Pejë–Rozhajë
Dardanët kryejnë stërvitjen e fundit, nisen drejt Bratislavë...
“Pas Gjestit edhe Gimbo nën arrest?”, Selin nuk ...
Kos do t’u përgjigjet eurodeputetëve lidhur me akuzat për ba...