Selektori Shabani shpall listën e lojtareve për ndeshjet me Finlandën

10:36 | 25 Shkurt 2026
D.H

Përzgjedhësi i Kosovës, Agron Shabani, e ka shpallur të mërkurën listën e hendbollisteve të ftuara për ndeshjet me Finlandën, në kuadër të fazës së dytë dhe të fundit kualifikuese për Kampionatin Evropian 2026.

Ndeshja e parë është më 5 mars nga ora 17:30 në Vantaa të Finlandës, ndërsa e dyta më 8 mars nga ora 17:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Grumbullimi i Kombëtares bëhet të dielën në Prishtinë, ndërsa të mërkurën e javës së ardhshme është udhëtimi për në Finlandë.

Selektori Shabani ka ftuar 16 lojtare për këtë grumbullim. Në Kombëtare janë kthyer Dafina Mustafa, Yllka Shatri e Melisa Mulaj.

Ndërkohë emra të rinj janë lojtaret e Kombëtares U19, Vanesa Kastrati, Aulona Maloku dhe Albina Pllana.

Kosova i ka luajtur tashmë dy ndeshje në këto kualifikime, ku ka humbur nga Franca dhe Kroacia.

Dy humbje i ka edhe Finlanda, kështu që ndeshjet e marsit pritet të vendosin për vendin e tretë në grup. Kujtojmë se edhe nga vendi i tretë është i mundshëm kualifikimi në Evropian.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme