Osimhen para përballjes me ‘Zonjën e Vjetër’: Do të doja të luaja për Juventusin në të ardhmen

10:07 | 25 Shkurt 2026
D.H

Në prag të sfidës së rëndësishme në Champions League kundër Juventusit, sulmuesi Victor Osimhen ka folur në konferencë për shtyp, duke theksuar rëndësinë e madhe të kësaj përballjeje dhe respektin për kundërshtarin italian.

Sfida e parë mes Galatasarayt dhe Juvnetusit ka përfunduar me rezultat 5-2 në të mirë të ekipit turk, shkruan Arbresh.info.

“Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme dhe të gjithë e dimë këtë. Do të përballemi me Juventusin, një skuadër shumë të fortë dhe me lojtarë cilësorë”, deklaroi Osimhen.

Sulmuesi nigerian theksoi se ekipi i tij është i përgatitur dhe nuk e nënvlerëson kundërshtarin, duke shtuar se përvoja e skuadrës do të jetë një faktor kyç.

“Nuk duam ta nënvlerësojmë Juventusin, por kemi lojtarë me eksperiencë për ta përballuar këtë ndeshje. Jemi gati dhe duam të luajmë si në ndeshjen e parë. Nuk do të jetë e lehtë, sidomos për ta, por ne duam të fitojmë”, shtoi ai.

Osimhen foli edhe për mundësinë e një transferimi të mundshëm në të ardhmen, duke pranuar se ka pasur interes për të kaluar te gjiganti italian.

“Juventusi është një nga klubet më të rëndësishme dhe shumë legjenda kanë luajtur aty. Kur më folën për këtë mundësi, e kisha dëshirën të kaloja te Juventusi”, u shpreh sulmuesi.

Megjithatë, ai konfirmoi se transferimi nuk u realizua në atë kohë, por nuk e përjashton një lëvizje të tillë në të ardhmen.

“Fatkeqësisht transferimi nuk u realizua, por nëse në të ardhmen do të ketë mundësi, ka shumë klube ku do të doja të luaja. Juventusi mund të jetë njëri prej tyre. Tani jam i lumtur këtu, por për të ardhmen nuk i dihet kurrë”, përfundoi Osimhen.

Sulmuesi nigerian këtë sezon ka luajtur në 23 ndeshje dhe ka shënuar 15 gola e pesë asistime./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme