Dinamo merr kryesimin, ngec Vushtrria, afrohet Liria – ashpërsohet edhe më shumë gara në Ligën e Parë   

17:49 | 19 Prill 2026
D.H

Është mbyllur edhe xhiro e 29-të në Ligën e Parë të Kosovës, ku nuk kanë munguar befasitë dhe tabela nga java në javë është duke u ashpërsuar për dy pozitat e para të cilat të dërgojnë në Superligën e Kosovës.

Liderja Vushtrria ka ngecur edhe këtë javë duke e mbyll takimin baras 0-0 me 2 Korrikun në shtëpi, teksa gabimin e tyre e ka shfrytëzuar Dinamo që ka arritur fitore të madhe ndaj Besa Peja me rezultat 3-2.

Ndërkohë, triumf të rëndësishëm arriti edhe Liria e Prizrenit 2-1 ndaj Ramiz Sadikut.

Pikët e plota i lëshoi edhe Vëllaznimi i cili u ndal baras nga Rilindja 1974, 1-1. Po ashtu me barazim 2-2 u mbyll edhe derbi i kësaj jave Feronikeli ’74 me Trepçën 89.

Në duelet tjera, Tefik Çanga e mposhti Trepçën 2-1, KEK-u luajti baras 1-1 me Istogun, me po të njëjtin rezultat u mbyll edhe ndeshja mes Vjosës dhe Prizrenit.

Kurse në përballjen e fundit, Suhareka fitoi 3-1 ndaj Kikës së Hogoshtit.

Kur kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në fund, Dinamo ka marr primatin me 62 pikë, dy më shumë se Vushtrria e cila është e dyta. Ndërsa, Liria e Prizrenit është ngritur në pozitën e tretë me 59 sosh, aq sa ka edhe Nikli i katërti.

Vëllaznimi është i pesti me 58 pikë, kurse Trepça ’89 mbetet me 55 pikë në vendin e gjashtë.

Në pjesën e poshtme të tabelës janë Prizreni i fundit me 16 pikë, KEK-u me 21 sosh në vendin e 17-të, dhe Rilindja 1974 e Besa ndajnë pozitat 15 dhe 16 me nga 28 pikë gjithsej.

Xhiron e ardhshme takohen: Kika – Dinamo, Istogu – Vushtrria, Vëllaznimi – Liria, 2 Korriku – Feronikeli ’74, Trepça 89 – Suhareka, Ramiz Sadiku – Tefik Çanga, Prizreni – KEK-u, Besa Peja – Rilindja 1974 dhe Trepça – Vjosa./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale