Google ADS

Club Brugge ia jep goditjen e radhës Vedat Muriqit

15:42 | 13 Korrik 2022
A. B.

E ardhmja e Vedat Muriqit vazhdon të mbetet pezull derisa futbollisti kosovar po mundohet të sistemohet sa më shpejt në klubin e ri.

Sulmuesi prizrenas nuk i kaloi vizitat mjekësore javën e kaluar tek klubi belg, i cili e ktheu mbrapshtë atë në Itali.

E më pas, në Lazio atij i dolën mirë kontrollet mjekësore, prandaj edhe “Biancocelesti” e kanë ndërmend të ankohen në FIFA kundër Club Brugge.

Sidoqoftë, duket se klubi belg nuk brengoset fort për këtë fakt.

Madje, mediat italiane shkruajnë se gjiganti belg e ka harruar tashmë përfaqësuesin kosovar dhe po shikon alternativa të tjera për sulmin, përcjell “Gazeta Express”.

Derisa pista Muriqi tashmë është ftohur, klubi belg tashmë ia ka vënë syrin Luis Vazquezit të Boca Juniorsit.

Ai i ka realizuar 4 gola në 27 paraqitje në edicionin e fundit dhe futbollisti argjentinas, i lindur në vitin 2001, është bërë shënjestër e Club Brugge.

Ndërkohë, Lazio shpreson që klubi belg t’ia japë edhe një rast Muriqit, duke ia bërë testet mjekësore dhe fizike edhe një herë brenda disa ditësh.

Club Brugge dhe Lazio ishin marrë vesh në parim që Muriqi të shit-blehej 10,5 milionë euro, por më pas belgët kërkuan ta marrin lojtarin në formë huazimi ose më lirë, për shkak të gjendjes së tij jo të mirë fizike.

Ndërkaq, interesim për Muriqin kanë shfaqur edhe Mallorca në Spanjë, Hull City në Angli dhe Galatasaray në Turqi. /GE/

Shpërndaje në rrjete sociale