Ruçi, mesazh për 101 vjetorin e Kongresit të Lushnjës

16:30 | 21 Janar 2021

Kryetari i parlamentit thekson se vota është më e fortë se çdo gjë tjetër.

Në shekullin e dytë të parlamentarizmit në Shqipëri, Gramoz Ruçi, jep një mesazh për rëndësinë e kuvendit, si “garant i kushtetutës dhe demokracisë në Shqipëri”.

Një nga vendimet më të rëndësishme të Kongresit të Lushnjës ishte zgjedhja e Këshillit Kombëtar, me atributet e institucionit legjislativ të vendit.Me këtë akt, i pari pas shpalljes së pavarësisë kombëtare, fillon historia 100 vjeçare e parlamentarizmit shqiptar, i cili ka hyrë tashmë në shekullin e dytë të jetës.

“Gjatë një shekulli jetë, parlamentarizmi shqiptar ka kaluar shumë sfida dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në kryerjen e reformave dhe zbatimin e masave shtetformuese, zhvillimin e vendit, ngritjen e institucioneve dhe pushteteve të pavarura.

Sot, duke hyrë në shekullin e dytë të jetës së parlamentarizmit shqiptar, është koha të reflektojmë për rrugën e gjatë që kemi përpara, për ta fuqizuar Kuvendin si një institucion përbashkues e të respektuar të fjalës së urtë, të debateve të kulturuara rreth alternativave për zgjidhjen e problemeve dhe kapërcimin e sfidave të zhvillimit dhe të ardhmes së Shqipërisë. Ka mjaft prova që tregojnë se demokracia nuk duhet të merret si e mirëqenë. Demokracia arrihet dhe fuqizohet duke luftuar përditë për të. Në demokraci, vota është më e fortë se çdo mjet tjetër.”, shkruan në mesazhin e tij kryetari i Kuvendit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara