Rama: Shqipëria me pagë mesatare 900 Euro është një Shqipëri tjetër

11:44 | 25 Maj 2023

Teksa në Kuvendin e Shqipërisë diskutohet projektligji për rritjen e pagave, Kryeministri shqiptar, Edi Rama shprehet se Shqipëria me pagë mesatare 900 Euro, është një Shqipëri tjetër.

Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, Rama thotë se nuk ka pasur përgjigje më spektakolare se ajo e 14 Majit teksa i bën thirrje opozitës që të ta kuptojnë arsyet e situatës në të cilën ndodhen.

Edi Rama: Me ardhjen e verës, konsumi i energjisë do të rritet përsëri dhe ne do të duhet të rihapim diskutimin e fashës. Ne sot vazhdojmë të paguajmë dhe është një sasi e madhe parash. Nëse këtu do të kishim të bënim me një pasqyrë si ajo që na vihet para në parlament si ajo përralla e asaj species që donte të zbukurohej dhe doli një monstër, sigurisht që kjo rritje pagash nuk mund të bëhet. Ekonomia është rritur, papunësia është nën nivelet e para pandemisë, konsumi është rritur, pra ajo përvuajtja lënguese këtu që nuk po blejnë dot njerëzit nuk provohet në shifrën e konsumit, eksportet janë rritur dhe të gjitha këto nuk janë opinione, këto janë shifra të thjeshta që i gjen në çdo raport dhe në çdo tabelë. Është e kotë fare që sot të bëjmë debat e lagu apo nuk e lagu përballë faktit kuptimplotë që kjo shumicë qeverisëse po bën rritjen më të lartë historike të pagve dhe kapërcimin e shumëpritur dhe për të cilin jemi përpjekur dhe kemi duruar shumë përballë situatave të papritura që nuk i kemi sjellë ne.

Shqipëria me pagë mesatare 900 Euro, është një Shqipëri tjetër dhe këtu Shqipëri tjetër kemi çdo ditë që e ndërtojmë. Një Shqipëri tjetër, e cila sot pa asnjë shtysë dhe pa asnjë qindarkë të paguar është rregullisht e çdo javë në faqet e mediave më të njohura ndërkombëtare si destinacioni për t’u vizituar. Merrni dhe shikoni shifrat se çfarë ndodh në aeroportin e Rinasit për të kuptuar se çfarë Shqipërie është kjo dhe të gjithë janë konsumatorë, nuk vijnë me bukë me vete, janë eksporti më i madh i Shqipërisë. Në këtë Shqipëri, koha është që njerëzit të zënë vendin që meritojnë. Dëgjoj që pagat në sektorin privat nuk i rrit shteti, e vërtetë. Por gjëja që ne kemi bërë duke shtyrë pagën minimale është një faktor i pamohueshëm dhe duke rritur pagat në sektorin publik, i pamohueshëm dhe këto faktorë bëjnë që pagat të jenë në rritje të përditshme.

Nuk ka pasur përgjigje më spektakolare se ajo e shqiptarëve për 14 Majin, por më shumë se fitorja jonë, ajo është disfata absolute e politikës që bartet nga të gjithë që vini këtu dhe këndoni dokrrrat tuaja. Po se morët vesh, faleminderit shumë se herën tjetër do të jetë më keq për ju, jo për shqiptarët dhe Shqipërinë./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme