Kosova forcon bashkëpunimin ndërkombëtar, dy oficerë të FSK-së i bashkohen stafit të ISF-së

16:15 | 30 Maj 2026
Q L

Bordi i Paqes (ISF) ka njoftuar se ka mirëpritur dy oficerë ndërlidhës të rinj nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), majorin Gentrit Idrizi dhe majorin Labinot Lala.

Përmes një njoftimi zyrtar, ISF ka bërë të ditur se oficerët kosovarë do të luajnë një rol të rëndësishëm në lehtësimin e rrjedhës së informacionit ndërmjet organizatës dhe Kosovës, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit institucional, shkruan Arbresh.info.

“ISF mirëpret oficerët e saj më të rinj ndërlidhës, majorin Gentrit Idrizi dhe majorin Labinot Lala nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Kosova po dërgon më të mirët e saj për të lehtësuar rrjedhën e informacionit me rëndësi jetike ndërmjet ISF-së dhe vendit të tyre.”, thuhet në njoftimin e ISF-së.

Sipas këtij institucioni, integrimi i dy oficerëve në stafin e ISF-së do të ndihmojë në zgjerimin e rrjetit të bashkëpunimit dhe në avancimin e objektivave të përbashkëta për paqe dhe siguri.

“Integrimi i tyre në stafin e ISF-së forcon rrjetin tonë të bashkëpunimit dhe fuqizon përkushtimin tonë të përbashkët për paqe dhe siguri.”, theksohet më tej në njoftim.

Emërimi i majorëve Idrizi dhe Lala vlerësohet si një hap tjetër në thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të FSK-së dhe rritjen e prezencës së saj në mekanizmat e sigurisë dhe paqes./Arbresh.info/