Largimi i Kalos dhe përfshirja e mjekëve në zgjedhje, Pipero: Politika duhet të fliste më pak

22:52 | 4 Mars 2021

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, i ftuar në “Radari Informativ” foli për situatën epidemiologjike, largimin e mjekut Tritan Kalo nga Komiteti Teknik i Ekspertëve si edhe përfshirjen e mjekëve në politikë.

Gjatë bisedës në studio me gazetaren Jonida Shehu, Pipero u shpreh se në këtë situatë të vështirë pandemie të gjithë ekspertët kanë komunikuar me njëri-tjetrin për të dhënë kontributin dhe për të qenë sa më profesional në detyrën e tyre.

Pipero nuk komentoi vendimin e mjekut infeksionit, Tritan Kalo për tu larguar nga Komiteti, duke u shprehur se më së miri këtë çështje mund ta sqarojë vetë Kalo.

“Ky Komitet është shumë i rëndësishëm dhe për këtë largim nuk duhet të më pyesni mua. Se sa dëgjohet Komiteti i Ekspertëve duhet të pyesni ato. Pavarësisht se kanë veshur këtë petk besoj fort se tek secili nga ata prevalon profesionalizmi. Si do të ndodhë nuk e di. Por ndoshta krahas atij Komiteti duhet të kishte edhe mini-komitete. Por theksoj se të gjithë ne specialistët kemi komunikuar me njëri-tjetrin”, tha Pipero.

Ndërsa u ndal tek përfshirja e mjekëve në politikë, Pipero tha se ndoshta politika duhet të kishte folur më pak për t’i dhënë më shumë hapësirë specialistëve.

“Ndoshta politika duhet të kishte folur më pak për t’i dhënë më shumë hapësirë specialistëve. A ju mbushet mendja që ne mjekët infeksionistë që po merremi me të prekurit Covid-19 pothuajse po e harrojmë pjesën tjetër të mjekësisë. Por them që vendimi për përfshirjen në politikë është i vështirë sepse duhet të ruash profesionalizmin”, tha më tej Pipero.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara