Aksident i rëndë në aksin Fier-Roskovec, përplasen makina me motorin, plagoset rëndë drejtuesi

18:54 | 19 Maj 2026
E.G

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e sotme në aksin rrugor që lidh Fierin me Roskovecin, ku për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë një person. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Kuman, një pikë ku qarkullimi i mjeteve është i dendur.

Sipas të dhënave të para nga terreni, një automjet i llojit “Citroen”, i cili drejtohej nga shtetasi me inicialet A. S., është përplasur fort me një motomjet që udhëhiqej nga shtetasi me inicialet M. G. Si pasojë e goditjes së fuqishme mes dy mjeteve, drejtuesi i motorit ka fluturuar nga mjeti duke pësuar lëndime të shumta në trup.

Dëshmitarët në vendngjarje njoftuan menjëherë ambulancën dhe forcat e rendit.

“I dëmtuari është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit në gjendje të rëndë shëndetësore,” informon gazetarja e RTSH- 24, Laureta Roshi.

Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e policisë rrugore dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Ekspertët kanë nisur punën për matjet e nevojshme në rrugë dhe këqyrjen e mjeteve për të përcaktuar shkaqet dhe dinamikën e saktë të këtij aksidenti. Për shkak të përplasjes, në këtë aks u krijuan radhë të gjata mjetesh, ndërsa efektivët e policisë u angazhuan për të disiplinuar trafikun dhe për të rikthyer qarkullimin në normalitet.

/rtsh.al/