Si stresi i prindërve ndikon në rritjen e obezitetit tek fëmijët

23:05 | 18 Mars 2026
E.H

olitikat kryesore për luftimin e obezitetit në fëmijëri janë fokusuar tradicionalisht te promovimi i ushqyerjes së shëndetshme dhe aktivitetit fizik. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme ndër vite, përqindja e fëmijëve mbipeshë ose obezë mbetet e lartë dhe në disa raste vazhdon të rritet.

Një studim i publikuar në revistën shkencore Pediatrics sugjeron se një faktor i rëndësishëm, shpesh i nënvlerësuar, mund të jetë vetë sjellja e prindërve, më konkretisht mënyra se si ata përballojnë stresin.

Sipas hulumtimit, fëmijët e prindërve që morën pjesë në programe për menaxhimin e stresit zhvilluan zakone më të shëndetshme dhe arritën të mbajnë peshën e tyre të qëndrueshme. Autorja kryesore e studimit, Rajita Sinha nga Yale University, theksoi se përmirësimi i mënyrës si prindërit menaxhojnë stresin reflektohet drejtpërdrejt në sjelljen e tyre ndaj fëmijëve dhe ul rrezikun për obezitet.

Studime të mëparshme kanë treguar se prindërit e stresuar kanë më shumë gjasa të braktisin zgjedhjet e shëndetshme ushqimore dhe t’i drejtohen ushqimeve të shpejta, duke ndikuar kështu edhe në preferencat ushqimore të fëmijëve të tyre.

Si u zhvillua studimi

Për të analizuar më thellë këtë lidhje, studiues nga Yale University dhe institucione të tjera amerikane zhvilluan një eksperiment me 114 prindër që kishin fëmijë të moshës 2-5 vjeç, të cilët ishin mbipeshë ose obezë. Studimi përfshiu pjesëmarrës nga shtresa të ndryshme socio-ekonomike.

Gjatë një periudhe 12-javore, prindërit u ndanë në dy grupe:
• Grupi i parë mori këshilla për ushqyerje të shëndetshme dhe njëkohësisht ndoqi një program për reduktimin e stresit, ku u mësuan teknika të vetërregullimit dhe ndërgjegjësimit (mindfulness).
• Grupi i dytë mori vetëm këshilla ushqimore.

Çdo javë, prindërit dhe fëmijët e tyre monitoroheshin për nivelet e stresit dhe ndryshimet në peshë. Studiuesit vëzhguan gjithashtu ndërveprimet prind-fëmijë, duke analizuar elementë si ngrohtësia, pozitiviteti dhe durimi.

Rezultatet dhe rëndësia e tyre

Rezultatet treguan një diferencë të qartë.

Fëmijët e prindërve që morën trajnim për menaxhimin e stresit reduktuan konsumimin e ushqimeve jo të shëndetshme dhe ruajtën një peshë të qëndrueshme. Në të kundërt, fëmijët e grupit tjetër kishin gjashtë herë më shumë gjasa të shtonin në peshë.

Kjo diferencë mbeti e dukshme edhe tre muaj pas përfundimit të studimit, duke sugjeruar se ndërhyrjet në menaxhimin e stresit mund të kenë efekte afatgjata.

Sipas studiuesve, kombinimi i teknikave të ndërgjegjësimit dhe vetërregullimit me ushqyerjen e shëndetshme dhe aktivitetin fizik mund të mbrojë fëmijët e vegjël nga ndikimet negative të stresit në shtimin e peshës.

Megjithëse kampioni i studimit ishte relativisht i vogël, priten rezultate nga një kërkim më i gjerë dy-vjeçar për të konfirmuar këto gjetje. Edhe nëse rezultatet ndryshojnë, ekspertët theksojnë se reduktimi i stresit te prindërit ka potencial të sjellë përfitime të shumta për mirëqenien e fëmijëve./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale