Maqedoni: Rritje e ndjeshme e dhunës në familje në maj 2026

18:57 | 6 Qershor 2026
E H

Në Maqedoni, gjatë muajit maj 2026 janë raportuar gjithsej 191 vepra penale të dhunës në familje, që paraqet rritje prej 70,5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, njofton Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), përcjell TV21.

Sipas të dhënave, pjesa më e madhe e rasteve lidhet me “lëndim trupor” (130 raste) dhe “rrezikim të sigurisë” (52 raste). Në mesin e veprave më të rënda është regjistruar një vrasje në rajonin e SPB Manastir, si dhe dy raste të lëndimeve të rënda trupore.

Numri më i madh i rasteve është evidentuar në Shkup, me 62 vepra penale të raportuara. Gjatë kësaj periudhe, MPB ka paraqitur gjithsej 137 kallëzime penale, që shënon rritje prej 71,3% krahasuar me majin e vitit të kaluar.

Ndaj 144 personave janë ndërmarrë masa ndjekjeje penale, ndërsa 143 persona janë evidentuar si viktima. Po ashtu, 15 persona janë dërguar në paraburgim dhe 48 të tjerë janë vendosur nën masa kujdesi.

MPB bën të ditur se janë regjistruar edhe 19 kundërvajtje, kryesisht për “sulm fizik” dhe “grindje e bërtitje”, si dhe 499 ankesa, me numrin më të madh në rajonet e Shkupit dhe Shtipit.

Shpërndaje në rrjete sociale