I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është takuar në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Më 7 nëntor, Lajçak vizitoi Kosovën, ku diskutoi me përfaqësuesit e Qeverisë dhe të opozitës për draft-statutin e ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Propozimi i ri “për një model modern evropian” për draft-statutin e Asociacionit u është prezantuar Kosovës dhe Serbisë nga anëtarët e “Pesëshes së Madhe” gjatë vizitës së tyre në këto dy shtete më 21 tetor.
Delegacioni përbëhej nga përfaqësues të BE-së, Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.
Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizim, që ndërmjetësohet nga BE-ja, kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit dhe tha se mund të harmonizohet përmes akteve nënligjore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një asociacioni njëetnik, duke argumentuar se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit.
Megjithatë, gjatë një takimi me liderët evropianë në Bruksel më 26 tetor, Kurti tha se ka pranuar draft-statutin e ri të propozuar.
Dokumenti i këtij draft-statuti nuk është bërë publik. Megjithatë, Kurti ka thënë se ai është shkruar më shumë në kujdes ndaj germës sesa frymës së Kushtetutës së Kosovës.
Më herët gjatë vitit, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raportet. Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut./rel
Kosova luan me fanella të kaltërta, debuton zyrtarisht me Ad...
Rama për Zvërnecin: S’ka lidhje me të pavërtetat që po qarku...
Abdixhiku nga prezantimi i grave kandidate për deputete: Gra...
Shqipëri: Automjeti godet për vdekje një 62-vjeçar
Hamza takon kryediplomatin shqiptar: Kosovës i duhen institu...
Moti këtë javë i ndryshueshëm – IHMK paralajmëron diel...